Skip to content
Aktualitet

Meta falenderon shqiptarët, “shpik” edhe një dekoratë të re vetëm për Partinë Socialiste

· 2 min lexim

Vetëm një ditë pas zgjedhjeve që u zhvilluan dje në vendin tonë, presidenti Ilir Meta ka reaguar nëpërmjet një postimi në rrjetin social Facebook.

Presidenti ka përgëzuar të gjithë qytetarët shqiptarë që ruajtën qetësinë gjatë votimeve ditën e djeshme. Meta është shprehur se nuk pati asnjë surprizë nga ajo që ai e kishte menduar më parë për votimet socialiste.

Ndërsa me ironi shkruan se “tani me duhet të “shpik” një dekoratë të re, që besoj me ndihmën e Kuvendit socialist do miratohet, atë të “Heroit të votave socialiste”.”

Postimi i Ilir Metës:

“Urime të gjithë qytetarëve që dje iu larguan konfrontimit dhe dhunës duke respektuar në mënyrë qytetare njëri-tjetrin, pavarësisht nga qëndrimi ndaj votimeve socialiste të thirrura nga kryeministri Rama.

Shqipëria shpëtoi nga kurthi i përplasjes civile, ndaj i falënderoj nga zemra të gjithë shqiptarët që nuk ranë viktimë e retorikës konfrontuese të liderëve të papërgjegjshëm, që përmes nxitjes së dhunës duan të fshehin skandalet dhe llogaridhënien e tyre.

Përsa i takon tejkalimeve të planit në votimet socialiste, asnjë surprizë nuk kisha.
Tani me duhet të “shpik” një dekoratë të re, që besoj me ndihmën e Kuvendit socialist do miratohet, atë të “Heroit të votave socialiste”.

Për të shijuar rikthimin e kohës së votimeve kolektive, ju ftoj të ndiqni edhe këtë video”.