Skip to content
Kryesore

Media italiane: Rama mohoi se ishte “kumbari” i vendit, por “Albanian Files” tregon të kundërtën

· 4 min lexim

Media italiane Rivista Studio i ka kushtuar një analizë të zgjeruar zhvillimeve të fundit në Shqipëri, duke u ndalur te libri “Albanian Files”, të cilin e cilëson si një dëshmi që shkon përtej arkitekturës dhe ekspozon modelin politik që ka shoqëruar transformimin urban të vendit.

Sipas artikullit, libri paraqet vetëm “majën e ajsbergut”, pasi ndërhyrjet urbane të padokumentuara janë shumë më të shumta se projektet e përfshira në botim, duke përshkruar një metamorfozë territoriale edhe më të gjerë në të gjithë Shqipërinë.

Autorët rikujtojnë edhe intervistën e fundit të kryeministrit Edi Rama për Financial Times, ku ai hodhi poshtë me indinjatë akuzat se ishte “kumbari” me kontroll absolut mbi vendin dhe sfidoi kritikët të sillnin prova. Sipas Rivista Studio, prova gjendet pikërisht në faqet e “Albanian Files”, ku përmes dëshmive të vetë arkitektëve paraqitet marrëdhënia e drejtpërdrejtë mes pushtetit politik dhe projekteve të mëdha arkitekturore.

Artikulli thekson se shumë arkitektë ndërkombëtarë rrëfejnë se nuk kanë mbërritur në Shqipëri përmes konkurseve publike, tenderëve apo procedurave transparente, por përmes kontakteve personale me Kryeministrin. Disa prej tyre tregojnë se kanë marrë mesazhe në Instagram nga Rama, të tjerë telefonata personale, ndërsa edhe fitues të Çmimit Pritzker përshkruajnë të njëjtën mënyrë komunikimi.

Sipas medias italiane, kjo praktikë tregon një zhvendosje të planifikimit urban nga mekanizmat demokratikë drejt marrëdhënieve personale, duke zëvendësuar procedurat transparente me vendimmarrje informale.

Në analizë përmendet edhe letra e një partneri të studios OMA drejtuar Ramës, ku ai e falënderonte për kushtet e favorshme të krijuara për arkitektët ndërkombëtarë dhe, në mënyrë provokuese, sugjeronte anulimin e zgjedhjeve dhe një presidencë të përjetshme. Edhe pse Rama e ka cilësuar më vonë këtë tekst si satirik, Rivista Studio vlerëson se episodi merr një kuptim tjetër në kontekstin e përgjithshëm të librit.

Artikulli ndalet edhe te mungesa pothuajse totale e arkitektëve shqiptarë në projektet e përfshira në “Albanian Files”. Sipas autorit, asnjë arkitekt vendas nuk figuron në 523 projektet e prezantuara, ndërsa argumenti se profesionistët shqiptarë mësojnë duke punuar pranë studiove të huaja nuk mund të zëvendësojë autorësinë dhe zhvillimin e një kulture vendase të arkitekturës.

Media italiane thekson gjithashtu se libri dokumenton një model zhvillimi të përqendruar pothuajse tërësisht te kullat shumëfunksionale, komplekset rezidenciale luksoze dhe resortet turistike, ndërsa projektet për strehimin social, hapësirat publike dhe infrastrukturën sociale mbeten në plan të dytë.

Sipas analizës, Shqipëria vijon të përballet me mungesë të programeve të strehimit social, infrastrukturë të pamjaftueshme dhe shërbime bazë të pazhvilluara në shumë zona, ndërkohë që zhvillimi i tregut luksoz të pasurive të paluajtshme po merr prioritet.

Rivista Studio ndalet edhe te ndryshimet ligjore që, sipas saj, kanë bërë të mundur këtë transformim. Në artikull përmendet Ligji Nr. 21/2024 për Zonat e Mbrojtura, i cili lejon zhvillime turistike në parqe kombëtare dhe zona bregdetare të mbrojtura, si edhe Ligji Nr. 55/2015 për Investimet Strategjike, që parashikon procedura të përshpejtuara dhe mundësi shpronësimi për projekte private të konsideruara me interes publik.

Sipas autorit, këto ndryshime kanë hapur rrugën për projekte si ai i Jared Kushner dhe Ivanka Trump në zonën e Nartës dhe Zvërnecit, ndërsa flamingoja është kthyer në simbol të protestave kundër ndërtimeve në këto ekosisteme.

Artikulli nënvizon se problemi nuk lidhet me cilësinë e ndërtesave individuale, pasi shumë prej tyre mbajnë firmat e studiove më prestigjioze në botë, por me mungesën e një planifikimi urban që balancon zhvillimin ekonomik me interesin publik, mjedisin, shërbimet dhe nevojat e komunitetit.

Në pjesën përmbyllëse, Rivista Studio e lidh këtë debat me protestat e zhvilluara javët e fundit në Shqipëri. Sipas analizës, ato nuk janë vetëm kundër kullave apo ndërtimeve në zonat e mbrojtura, por përfaqësojnë kërkesën e qytetarëve për të marrë pjesë në vendimmarrjet që ndryshojnë vendin.

Autori i artikullit e përshkruan këtë si një lëvizje spontane të një brezi të ri që ndihet i tradhtuar nga klasa politike, ndërsa evidenton rritjen e pabarazisë, perceptimin për korrupsion, rënien e besimit te institucionet dhe emigrimin masiv si faktorë që kanë ushqyer pakënaqësinë.

Në përfundim, ai shkruan se protestat përfaqësojnë “një energji të re, të vetëdijshme dhe të guximshme”, e cila synon të rimarrë të drejtën për të vendosur mbi të ardhmen e Shqipërisë dhe kërkon një model zhvillimi më transparent, më demokratik dhe më pranë interesit publik.

Kliko këtu për artikullin e plotë