Ish-ushtaraku Artur Meçollari ka komentuar në Top News paralajmërimin e Ambasadës së SHBA-së për sulme të mundshme nga grupe të lidhura me Iranin në Shqipëri, duke theksuar se nuk bëhet fjalë për një njoftim të përgjithshëm, por për informacion konkret.
Sipas tij, Ambasada ka qenë e qartë kur ka theksuar se në vend ndodhen grupe të lidhura me Iranin, të cilat mund të kryejnë sulme terroriste. Meçollari shpjegon se kjo do të thotë që nuk kemi të bëjmë me një sulm ushtarak nga Irani, por me veprime nga grupe të pranishme në territor.
“Ambasada i bën këto paralajmërime në bazë të informacioneve të inteligjencës dhe institucioneve të zbatimit të ligjit. Në Ambasadë ka një zyrë që ka një shef për informacionin, që do të thotë që informacioni nuk është ajo që thotë kryeministri”, theksoi ai në Top News.
Ai shton se paralajmërimi nuk është i përgjithshëm, pasi përmend edhe objektet që mund të jenë në shënjestër, çka sipas tij tregon se informacioni është i detajuar dhe i verifikuar.
“Paralajmërimi i Ambasadës ishte i qartë, sidomos fjalia e parë, ku ajo specifikonte që janë grupe të lidhura me Iranin, që do të thotë që nuk janë grupe të Iranit, por janë grupe të stacionuara në Shqipëri. E dyta, njoftimi të lë të nënkuptosh që nuk kemi të bëjmë me një akt të mirëfilltë ushtarak, me raketa, por kemi të bëjmë me një akt terrorist. Dhe e treta, ajo specifikoi se cilat janë objektet e mundshme objektiv i këtyre grupeve. Po ta shohësh, ajo nuk është një paralajmërim i përgjithshëm, por specifik.
Ambasada i bën këto paralajmërime në bazë të informacioneve të inteligjencës dhe institucioneve të zbatimit të ligjit. Në Ambasadë ka një zyrë që ka një shef për informacionin, që do të thotë që informacioni nuk është ajo që thotë kryeministri. Pra informacioni nuk mund të jetë vetëm nga Shqipëria, por mund të ketë ardhur edhe nga jashtë vendit.
Por ti në këto kushte, të thuash që kjo është një hamendësim, është fyerje. Nënvlerësimi i informacionit të dhënë nga Ambasada është një pikëpyetje, sepse Ambasada thekson se informacionet ia kemi kaluar qeverisë shqiptare. Kjo tregon që qeveria i ka këto informacione, por si i vlerëson”,
Në përfundim, Meçollari vë në dyshim qëndrimin e qeverisë, duke theksuar se injorimi i një paralajmërimi të tillë është i gabuar, pasi informacioni bazohet në burime serioze dhe mund të ketë ardhur edhe nga jashtë Shqipërisë.








