Mbi 10 mijë qytetarë në hetim për review-t negative? Policia nuk tregon as bazën ligjore dhe as veprën penale

Mjaftuan vetëm disa orë që mijëra qytetarë të përdornin një formë të re presioni dhe reagimi i shtetit ishte i menjëhershëm. Nga review-t negative në internet, debati kaloi brenda një kohe shumë të shkurtër te “sulmet e koordinuara”, “krimet kompjuterike”, “dëmi ekonomik”, “imazhi i vendit” dhe paralajmërimet për “forcën e ligjit”. Për herë të parë, u fol edhe për verifikimin e mbi 10 mijë llogarive. Kjo ngre një pyetje që shkon shumë përtej një platforme apo një vlerësimi në Google: çfarë e trembi kaq shumë pushtetin?
Në thelb, nuk bëhet fjalë për review-t. Bëhet fjalë për faktin se qytetarët duket se kanë kuptuar një formë të re presioni. Protesta nuk mbetet më vetëm në shesh, te pankartat apo te thirrjet. Ajo vazhdon edhe përmes zgjedhjeve që bën çdo konsumator, përmes bojkotit dhe refuzimit për të mbështetur ekonomikisht biznese të lidhura me pushtetin. Pikërisht kjo duket se ka prodhuar reagimin më të fortë institucional që është parë deri tani.
Deklarata e Policisë së Shtetit nuk i dha përgjigje pyetjes më të rëndësishme.
Mbi çfarë baze ligjore po verifikohen mijëra qytetarë? U fol për krime kompjuterike, për veprimtari të dyshuara dhe për dëmtim të interesave ekonomike, por nuk u bë publik se cili nen i Kodit Penal dyshohet se është shkelur. Nuk u tha nëse ekziston një procedim penal i regjistruar, cila prokurori e drejton atë dhe cila është vepra konkrete që po hetohet.
Policia nuk heton mendime, komente apo pakënaqësi. Policia heton dyshime për vepra penale konkrete. Nëse ekziston një dyshim për mashtrim, shantazh, përdorim identiteti të rremë, ndërhyrje të paligjshme në sisteme kompjuterike apo çdo vepër tjetër penale, ligji duhet të zbatohet. Por këto janë situata krejt të ndryshme nga një qytetar që shpreh një mendim, lë një koment apo merr pjesë në një bojkot.
Edhe Kushtetuta e Republikës së Shqipërisë është e qartë. Neni 22 garanton lirinë e shprehjes. Kjo liri nuk është absolute, por çdo kufizim ndaj saj duhet të mbështetet në ligj, të jetë i qartë, proporcional dhe i domosdoshëm. Pikërisht për këtë arsye, kur flitet për verifikimin e mbi 10 mijë llogarive, shteti ka detyrimin të shpjegojë publikisht se cili është ligji që po zbaton. Deri tani, kjo përgjigje mungon.
Reagimi i institucioneve ngre edhe një pyetje tjetër.
Pse u mobilizua shteti me një shpejtësi kaq të madhe për reputacionin online të disa bizneseve? Kur qytetarët denoncojnë korrupsion, abuzime apo skandale publike, përgjigjet shpesh vonojnë me muaj ose vite. Në këtë rast, brenda pak orësh pati konferenca për shtyp, paralajmërime për “forcën e ligjit” dhe njoftime për mijëra llogari në verifikim. Shteti nuk po qëndron si arbitër mes qytetarit dhe biznesit, por po pozicionohet në mbrojtje të reputacionit të këtij të fundit.
Mirëpo, protesta nuk duhet të bjerë në grackë. Bojkoti është një formë legjitime presioni qytetar. Çdo konsumator ka të drejtë të zgjedhë ku shpenzon paratë e tij dhe kë vendos të mos mbështesë. Çdo qytetar ka të drejtë të shprehë mendimin e tij. Por kjo kauzë nuk duhet të mbështetet mbi review të rreme apo akte të fabrikuara. Jo sepse e kërkon pushteti, por sepse një kauzë që kërkon llogaridhënie bëhet më e fortë kur mbështetet vetëm te e vërteta.
Megjithatë, një gjë tashmë duket se nuk mund të zhbëhet.
Qytetarët kanë kuptuar se kanë një mjet presioni që shkon përtej protestës tradicionale. Reagimi i institucioneve tregon se kjo formë proteste ka prekur një nerv të ndjeshëm. Dhe pikërisht kjo shpjegon panikun që u pa në deklarata, në gjuhën e përdorur dhe në përpjekjen për ta kthyer një debat mbi bojkotin dhe kritikat në internet në një çështje që u paraqit si problem i sigurisë.
A kanë bizneset të drejtë të mbrojnë reputacionin e tyre? Sigurisht që kanë. Por, a mundet shteti të paralajmërojë hetimin e mijëra qytetarëve pa shpjeguar qartë bazën ligjore mbi të cilën po vepron? Sepse në demokraci, frika nuk mund të zëvendësojë ligjin, as paralajmërimi nuk mund të zëvendësojë transparencën.