Ish-deputeti i Partisë Demokratike, Ervin Salianji, është liruar këtë të martë nga burgu i Fierit, ku po vuante një dënim prej një viti për veprën penale të “kallëzimit të rremë” në çështjen e njohur si “Babale”.
Vendimi u mor nga Gjykata e Fierit, e cila pranoi kërkesën për lirim me kusht, pasi Salianji kishte përmbushur dy të tretat e dënimit, ashtu siç parashikohet në ligjin shqiptar.
Në seancën e sotme, Shërbimi i Provës paraqiti një raport pozitiv mbi sjelljen e Salianjit gjatë kohës së qëndrimit në burg, ndërsa edhe prokurori i çështjes dha dakordësinë për lirimin e tij.
Procesi penal ndaj Salianjit nisi në vitin 2018, pas publikimit të një audio-përgjimi ku pretendohej se Agron Xhafaj, vëllai i ish-ministrit të Brendshëm Fatmir Xhafaj, ishte përfshirë në trafik ndërkombëtar droge. Sipas Prokurorisë, bëhej fjalë për një inskenim të qëllimshëm me qëllim goditjen politike të qeverisë.
Më 18 dhjetor 2019, Gjykata e Shkallës së Parë në Tiranë e shpalli fajtor për kallëzim të rremë dhe e dënoi me 1 vit burg. Salianji e ankimoi vendimin, por Apeli e la në fuqi më 26 shtator 2024. Ai u dorëzua në polici po atë ditë dhe nisi dënimin në burgun e Fierit më 27 shtator.
Gjykata e Lartë, më 15 tetor 2024, rrëzoi kërkesën e tij për pezullimin e dënimit, duke detyruar vuajtjen e plotë të tij, pavarësisht pretendimeve publike të Salianjit dhe të opozitës se bëhej fjalë për një dënim politik, të motivuar nga kryeministri Rama dhe ish-ministri Xhafaj.
Në të njëjtën çështje janë dënuar edhe Albert Veliu (i njohur si “Babalja”) me 10 muaj burg dhe gazetari Jetmir Olldashi me 100 orë punë në shërbim të komunitetit.
Pavarësisht lirimit, Salianji ka deklaruar vazhdimisht se është viktimë e një procesi të manipuluar dhe politikisht të motivuar.