Skip to content
Të Gjitha

Largimi i Dedes në prag të ndeshjes, reagojnë Fanatics: Duhet të kishte ikur më parë

· 2 min lexim

Ditën e sotme Tirana u përball me Laçin në stadiumin “Selman Stermasi” por pak para se të startonte ndeshja presidenti i Tiranës, Refik Halili, ka pasur një takim me trajnerin Nevil Dede. Menjëherë pas mbarimit të takimit Dede i është drejtuar dhomave të zhveshjes dhe më pas është larguar nga stadiumi. Duket se mungesa e trajnerit ndikoi në paraqitjen e bardhbluve pasi përveçse humbën ndeshjen, humbën dhe mundësinē për të luftuar për titullin kampion. Pas gjithë këtyre ndodhive ka reaguar tifogrupi më i madh i kampionëve në fuqi, Tirona Fanatics.

Ata kanë postuar qëndrimin e tyre në një postim në Facebook. Fanatics janë të mendimit se Dede s’duhet të ishte vendosur trajner i Tiranës, por kritikojnë ashpër vendimin dhe mënyrën e shkarkimit nga ana e Halilit, të cilin e etiketojnë si e keqja e Tiranës.

Reagimi nga Fanatics:

Sot nuk ndodhi asgjë më shumë sesa ajo që ka ndodhur vitet e fundit te Tirona. Ne mënyre të turpshme që vetëm pseudopresidenti mund ta bëjë, shkarkohet një trajner 15 minuta para fillimit të ndeshjes së sotme. Një trajner që jo vetëm duhet të kishte ikur me kohë, por ndoshta as nuk duhej të kishte ardhur fare. Arsyeja e shkarkimit është akoma më e frikshme, një pseudopresident që nuk ka lidhjen më të vogël me drejtimin e një klubi sportiv apo me vetë futbollin vendos kë të hedhë e kë të heqë nga formacioni. Sot u dëshmua dhe njëherë që fatkeqësia dhe e keqja e Tironës ka vetëm një emër: Refik Halili. Shpura që i vjen mbrapa janë bashkëpunëtor të amatorizmit dhe fëlliqësisë së tij!