Kur hajdutët kërkojnë të sillesh bukur

Pas 35 ditësh protestë, pushtetit i ka mbetur një armë e fundit: të përpiqet ta bëjë protestën të turpërohet nga vetja.
Të mos flitet më për bregdetin e grabitur. Të mos flitet për zonat e mbrojtura. Të mos flitet për “The Albanian Files”, për dhunën policore, për korrupsionin, për arrogancën dhe për një shtet që sillet sikur Shqipëria është pronë private.
Të flitet vetëm për pamjet që i leverdisin pushtetit.
Për një xham. Për një vezë. Për një moment tensioni. Për një foto të shkëputur nga gjithë historia.
Ky është kurthi.
Qeveria nuk kërkon një protestë të bukur. Kërkon një protestë të bindur. Kërkon qytetarë që, pasi janë provokuar, fyer, dhunuar, shpërfillur dhe tallur për javë të tëra, të nisin të diskutojnë nëse zemërimi i tyre ishte mjaftueshëm estetik për kamerat e pushtetit.
Por bukurinë e protestës nuk e përcaktojnë ata që po mbajnë peng Shqipërinë.
Protesta sillet bukur kur është e disiplinuar, e bashkuar dhe e vendosur për ta çuar betejën deri në fund. Jo kur i nënshtrohet moralit të rremë të atyre që kanë grabitur besimin, territorin dhe të ardhmen e qytetarëve.
Prandaj mesazhi është i qartë: mos bini pre e provokimeve.
Jo sepse pushteti meriton qetësi, por sepse dhuna është oksigjeni i propagandës së tij. Çdo incident i jep mundësinë të ndryshojë titullin. Çdo përplasje i jep alibinë për ta kthyer protestën nga revoltë qytetare në kronikë rendi.
Protesta duhet të refuzojë dhunën pa pranuar poshtërimin.
Duhet të ruajë disiplinën pa u kthyer në dekor.
Duhet të qëndrojë paqësore, por jo e nënshtruar.
Sepse kjo nuk është betejë për sjellje të mirë para hajdutëve. Është betejë për t’u marrë vendin atyre që janë mësuar ta trajtojnë si plaçkë.
Dhe në këtë betejë, qytetarët nuk kanë pse kërkojnë leje për zemërimin e tyre.
Kanë vetëm një detyrë: të mos ua dorëzojnë protestën provokimeve, pazareve dhe propagandës.