Skip to content
Të Gjitha

Kriza nga pandemia/ Operatorët turistikë i drejtohen qeverisë, tre kërkesa për të shpëtuar bizneset

· 2 min lexim

I konsideruar tashmë si sektori më i goditur në vend prej krizës ekonomike të pandemisë së koronavirusit, sektori turistik, po përpëlitet të fitojë vëmendjen e qeverisë dhe të marrë prej asaj ato pak subvencione të premtuara.

Shoqata Shqiptare e Turoperatorëve dhe Agjencive Turistike (ATOA), i ka kërkuar qeverisë që të shohë mundësinë e mbështetjes së bizneseve të lidhura me turizmin, për shkak të situatës së vështirë të krijuar nga pandemia.

Në një kërkesë dërguar Kryeministrit Rama, “ATOA” ka renditur tre pika.

Kjo situatë e cila rrezikon të gjithë ekonominë shqiptare, kërkon reagimin e shpejtë të qeverisë për marrjen e masave të sugjeruara si më poshtë:

1-Ne kërkojmë mbështetje të veçantë për bizneset turoperatore dhe agjencitë turistike, guidat dhe transportin turistik që janë edhe grupimi më i prekur dhe pothuajse pa biznes gjatë gjithë vitin.

2-Referuar vendimit të qeverisë për paketën e ripunësimit e cila u prezantua së fundmi, kërkesa jonë është:

a) Të shtrihet skema e qeverisë deri në datën 30 Shtator 2020 për punonjësit e larguar pasi efektet e pandemisë vazhdojnë të ndihen deri më sot.

b) Kërkojmë mbështetje për punonjësit e mbajtur në punë nga bizneset turoperatorë, agjencitë turistike, guidat dhe transporti turistik, pasi është hera e dytë që pikërisht ky grupim punonjësish i mbajtur me shumë sakrificë në punë nga ana jonë, nuk përfshihet në skemat mbështetëse të qeverisë;

3-Të mbështetet me grante grupimi i bizneseve turoperatorë, agjencive turistike, guidave dhe transportit turistik, skemë që është ndjekur edhe nga shumë vende fqinje, pikërisht për këtë kategori e cila është më e dëmtuara e sektorit turistik” thuhet në letër.

“ATOA” i kujton ekzekutivit se, turizmi është kontribuuesi më i madh i punësimit në vend, ku 93 mijë ka qenë numri i të punësuarve direkt, dhe mbi 291 mijë ishin të punësuarit në total në këtë sektor përgjatë 2017, dhe ku të ardhurat totale të sektorit kapën shifrën e 1.8 miliardë euro në ekonominë shqiptare.

/GazetaReforma.com/