Prokurorët federalë belgë kërkuan të hënën dënim me burgim të përjetshëm për Franc Gergely, i njohur si Franc Çopja, pasi ai u shpall fajtor për urdhërimin e vrasjes së Ardit Spahiut dhe për drejtimin e një organizate kriminale. Pretenca u paraqit në Gjykatën e Krimeve të Rënda në Bruksel, ndërsa mbrojtja kundërshtoi ashpër kërkesën, duke e cilësuar atë si një masë “spektakolare” dhe jo të nevojshme.
Dy prokurorë federalë kërkuan që, përveç burgimit të përjetshëm, Gergely të dërgohet në gjykatën për zbatimin e dënimeve për një periudhë prej të paktën pesë vitesh. Sipas tyre, juria nuk duhet të marrë parasysh rrethana lehtësuese në përcaktimin e masës së dënimit.
Procesi për vrasjen e Ardit Spahiut nisi gjashtë javë më parë dhe është zhvendosur në pallatin “Justitia” në Haren. Të premten në mbrëmje, Gergely u shpall fajtor për urdhërimin e vrasjes së Spahiut, një plan i përgatitur për muaj me radhë. Spahiu, 38 vjeç, u ekzekutua më 27 nëntor 2020 në Sint Jans Molenbeek. Ai konsiderohej rival i Franc Gergelyt dhe Mikael Qosjas dhe u qëllua me nëntë plumba në shpinë dhe kokë.
Gjatë paraqitjes së pretencës, prokurorët e përshkruan të pandehurin si “trurin operacional” të komplotit. “Ai ka një perceptim strategjik të caktuar,” deklaroi prokurorja Nathalie Franco. Sipas saj, Gergely është “më manipuluesi dhe më i rrezikshmi nga vëllezërit e tij”, ka një “mungesë totale të empatisë”, është një “individ jashtëzakonisht i rrezikshëm” me një “mentalitet luftarak dhe kriminal”.
Prokurorja shtoi se Franc Gergely “kërkohet në Shqipëri për disa vepra në lidhje me krimine të rënda”, duke theksuar se ai nuk ka rekorde kriminale në Belgjikë.
Nga ana tjetër, avokati mbrojtës Cédric Vergauwen reagoi ndaj kërkesës për burgim të përjetshëm duke deklaruar se prokurorët synojnë një dënim “shembullor”. “Ju nuk kërkoni tjetër veçse një dënim shembullor,” u shpreh ai. Sipas tij, duke kërkuar një dënim kaq të rëndë “për të dhënë një shembull”, prokurorët federalë “lënë fushën e ligjit për të hyrë në fushën e simbolit”. Ai theksoi se një dënim duhet të jetë “i nevojshëm”, jo “spektakolar”, dhe mbi të gjitha “i përshtatur për individin e përfshirë”.
Edhe pse prokurorët nuk shohin “rrethana lehtësuese”, mbrojtja solli në vëmendje të kaluarën, historinë personale, moshën dhe faktin se Gergely ka një rekord të pastër penal si në Belgjikë ashtu edhe në Shqipëri, ku ai kërkohet për vepra penale, por ende nuk është gjykuar. “Burgim i përjetshëm do të thotë t’i mbyllim derën introspektimit”, deklaroi avokati.
Në seancë u përmend edhe konteksti i një lufte klanesh. Franc Gergely ka lindur në vitin 1992 në Shqipëri dhe, sipas mbrojtjes, është rritur në sfondin e një “hakmarrjeje të gjatë”. Sipas avokatit Vergauwen, lufta e klaneve e përmendur gjatë procesit “na tejkalon” dhe “ka origjinën në Shqipëri”.
Para pezullimit të seancës, Gergely falënderoi jurinë për vëmendjen dhe kohën e kushtuar dhe kërkoi “mëshirë” në përcaktimin e dënimit. “Po kërkoj vetëm mëshirë,” tha ai, duke kujtuar moshën e tij 33 vjeç.
Franc Gergely ndodhet në paraburgim në Belgjikë që nga 29 dhjetori 2023, kur u ekstradua nga Emiratet e Bashkuara Arabe. Ai ka shtetësi shqiptare. Sipas të dhënave të paraqitura në gjyq, ai u largua nga Shqipëria në moshën 16 vjeç për të punuar në Itali dhe në vitin 2019 u vendos në Dubai. Në proces u theksua se ai ishte aktiv në trafikun e drogës dhe i përfshirë në një luftë klanesh mes familjeve shqiptare.








