Skip to content
Kronikë

Krevati i gjakosur dhe kasaforta e hapur/ Dalin pamjet e shtëpisë së grabitur të biznesmenit

· 2 min lexim

Një ngjarje e rëndë ndodhi në Nikël, ku persona ende të paidentifikuar kanë grabitur një banesën  e biznesmenit  Nazim Çangu, i cili është dhunuar nga grabitësit mbrëmjen e djeshme në banesën e tij në Nikël të Fushë-Krujës.

Top Channel ka arritur të hyjë brenda shtëpisë së grabitur të biznesmenit Nazim Çangu, të cilin 10 persona e dhunuan dhe i prenë gishtin në mënyrë makabre me gërshërë në banesën e tij në Nikël të Fushë-Krujës.

Sipas informacioneve, grabitësit ishin të armatosur me pistoleta dhe kallashnikovë, ndërsa njëri prej tyre ishte i veshur me një uniformë policie.

Sipas familjarëve, biznesmeni i grabitur mëngjesin e sotëm nuk ka lidhje me një tjetër person me të njëjtat gjeneralitete të tij që ka qenë i arrestuar për kanosje të një prokurori në Krujë.

Siç duket qartë edhe nga pamjet shtëpia është në një gjendje të shkatërruar, sendet dhe sirtarët janë hapur nga ana e grabitësve në mënyrë që të gjenin paratë e fshehura.

Top Channel ka siguruar edhe pamje të krevatit, ku po flinte biznesmeni, i mbuluar nga gjaku prej të rrahurave dhe gishtit të prerë me gërshërë nga ana e autorëve.

Biznesmeni mori ndihmën në spital, ndërsa tani ndodhet në shtëpi.

Policia thekson se po punohet për zbardhjen e ngjarjes, identifikimin dhe kapjen e autorëve, ndërsa deri tani nuk ka akoma të reja.