Skip to content
Kosovë

Kosova shpall “non-grata” dy zyrtarët rusë, Vjosa Osmani tregon arsyen

· 2 min lexim

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani ka reaguar në lidhje me shpalljen non-grata të dy zyrtarëve rusë.  Osmani ka theksuar se aktiviteti i tyre ka cenuar sigurinë kombëtare dhe rendin kushtetues të Republikës së Kosovë.

Ministrja Donika Gërvalla e ka marrë vendimin ditën e sotme dhe gjithashtu ka njoftuar institucionet relevente për vendimin.

Ndër të tjera Vjosa Osmani, ka thënë se institucionet e Republikës së Kosovës janë të vendosura në luftën kundër ndikimit malinj të Federatës Ruse dhe satelitëve të saj në rajon, të cilët synojnë rrënimin e arritjeve tona dhe të SHBA-ve, NATO-s, dhe BE-së.

Njoftimi i plotë nga Presidentja e vendit:

Këtë javë kam kërkuar nga zëvendëskryeministrja, njëherësh ministre e Punëve të Jashtme dhe e Diasporës, Donika Gërvalla-Schëarz, t‘i shpallë persona non grata dy zyrtarë të Zyrës Ndërlidhëse të Federatës Ruse në Kosovë, për shkak të aktivitetit të tyre të dëmshëm, i cili ka cenuar sigurinë kombëtare dhe rendin kushtetues të Republikës së Kosovës. Sot, MPJD-ja ka nxjerrë vendimin për shpalljen e këtyre dy zyrtarëve rus persona të padëshirueshëm dhe në të njëjtën kohën i ka njoftuar institucionet ligjzbatuese dhe autoritetet përkatëse për zbatimin e tij.

Institucionet e Republikës së Kosovës janë të vendosura në luftën kundër ndikimit malinj të Federatës Ruse dhe satelitëve të saj në rajon, të cilët synojnë rrënimin e arritjeve tona dhe të SHBA-ve, NATO-s, dhe BE-së. Për këtë arsye do të vazhdojmë të bashkëpunojmë ngushtë me aleatët tanë amerikanë dhe evropianë për ta parandaluar tentimin që Kosova dhe rajoni ynë të jenë pre e ambicieve destablizuese të Federatës Ruse.

I siguroj qytetarët e vendit se institucionet e Republikës së Kosovës nuk do të hezitojnë të veprojnë çdoherë kur cenohet siguria dhe rendi kushtetues në vend.