Skip to content
Bota

Kosova feston sot 17-vjetorin e Pavarësisë

· 2 min lexim

Sot, Kosova shënon 17 vjet nga shpallja e Pavarësisë më 17 shkurt 2008, një moment historik që përfaqëson kulmin e përpjekjeve të gjata për liri dhe shtetësi.

Kjo ditë shërben si një kujtesë për sfidat dhe sakrificat e kaluara, por edhe për përparimin që vendi ka bërë në këto 17 vite.

Pavarësia e Kosovës është njohur nga mbi 100 shtete, përfshirë SHBA-në dhe shumicën e vendeve të BE-së.

Megjithatë, rruga drejt anëtarësimit në organizatat ndërkombëtare mbetet e vështirë për shkak të kundërshtimit të Serbisë dhe aleatëve të saj, si Rusia dhe Kina.

Më 17 shkurt 2008, Kuvendi i Republikës së Kosovës, në një mbledhje të jashtëzakonshme, shpalli zyrtarisht pavarësinë e vendit.

Ky vendim erdhi pas dekadash vuajtjesh dhe represioni, duke kulmuar me spastrimin etnik të kryer nga regjimi serb i Slobodan Millosheviçit deri në ndërhyrjen e NATO-s në vitin 1999.

Pas përfundimit të luftës, në qershor 1999, Kosova u administrua nga OKB-ja përmes misionit të UNMIK-ut, ndërsa institucionet e vetëqeverisjes nisën të funksionojnë gradualisht.

Në nëntor 2005, u hapën bisedimet për statusin përfundimtar të vendit, të ndërmjetësuara nga diplomati finlandez Martti Ahtisaari.

Në shkurt 2007, ai paraqiti propozimin për një pavarësi të mbikëqyrur të Kosovës, i cili gjeti mbështetjen e shumicës së komunitetit ndërkombëtar, por u kundërshtua nga Serbia dhe Rusia.

Pavarësia e Kosovës u kontestua nga Serbia, e cila kërkoi vlerësim ligjor nga Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë. Më 22 korrik 2010, GJND konfirmoi se shpallja e Pavarësisë nuk kishte shkelur të drejtën ndërkombëtare, duke i dhënë legjitimitet shtetit të ri.

Pas shpalljes së Pavarësisë, Bashkimi Evropian vendosi misionin EULEX për të mbështetur ndërtimin e institucioneve të drejtësisë dhe sigurisë në vend. Megjithatë, pesë vende të BE-së, Spanja, Rumania, Sllovakia, Greqia dhe Qiproja  ende nuk e kanë njohur Kosovën.

Në këto 17 vite, Kosova ka bërë përparime të mëdha në ndërtimin e institucioneve shtetërore, zhvillimin ekonomik dhe forcimin e marrëdhënieve ndërkombëtare.

Megjithatë, sfidat si dialogu me Serbinë dhe sigurimi i njohjeve të reja mbeten pjesë e agjendës kryesore të vendit.