Skip to content
Aktualitet

“Kishte edhe plumb pas qafës”, mjeku tregon për gjendjen e 6-vjeçarit të plagosur në Martanesh

· 2 min lexim

Një ngjarje e rëndë ka ndodhur  në Krastë të Martaneshit ku një fëmijë 6-vjeçar ka mbetur i plagosur. Tre plumba e kanë prekur fëmijën në pjesën e fytyrës.

Autori i kësaj ngjarjeje të ndodhur në Krastë të Martaneshit është 27-vjeçari Jetmir Koxheri. Ky i fundit ka qëlluar me armë në drejtim të shtëpisë së 6-vjeçarit pas një konflikti që kishte pasur me babain e tij.

Ai që ka folur lidhur me gjendjen shëndetësore të 6-vjeçarit  është mjeku i spitalit në Dibër, Agron Mezegjiu.

Ai është shprehur për “Report Tv” se fëmija ishte plagosur në fytyrë dhe në pjesët e tjera të trupit. Sipas mjekut, tashmë gjendja e tij shëndetësore është stabilizuar.

Mezegjiu u shpreh:

“Fëmija erdhi rreth orës 01:00 i plagosur me armë zjarri, kishte një plagë të madhe në fytyrë dhe një plumb i ngelur mbrapa qafës, kishte një dëmtim në kyç dhe një plagë të madhe në kofshën e djathtë, kishte edhe një plagë në bazën e hemitoraksit të majtë që mund të ishte rikoshet.

U shtrua në spital, gjendja u stabilizua, rreth orës 07:00 u lajmërua gjendja në Tiranë, erdhi helikopteri dhe e mori. Megjithatë gjendja mbetet problematike, pasi mund të kërkojë ndërhyrje kirurgjikale”.