Seanca e parashikuar për këtë të enjte në Gjykatën e Posaçme, ku do të shqyrtohej kërkesa e Jamarbër Malltezit për zëvendësimin e masës “arrest në shtëpi”, është shtyrë.
Gjykata ka vendosur që kërkesa të shqyrtohet më 30 qershor, ora 09:30.
Malltezi, që ndodhet në arrest shtëpie, ka kërkuar një masë sigurie më të lehtë, në kuadër të hetimit të nisur nga SPAK për privatizimin e ish-kompleksit sportiv “Partizani”.
Po më 30 qershor, është caktuar edhe seanca e parë gjyqësore në themel për çështjen e njohur si “Dosja Partizani”.
Në këtë proces janë marrë të pandehur Jamarbër Malltezi, ish-kryeministri Sali Berisha dhe tre biznesmenë, të cilët akuzohen për korrupsion në lidhje me procedurat e privatizimit të pronave shtetërore.
Sipas SPAK, bëhet fjalë për një skemë të mirëorganizuar për përvetësimin e pasurisë publike.
Gjatë seancës së 30 qershorit, pritet që Gjykata të shqyrtojë provat e mbledhura nga SPAK dhe të vendosë për vazhdimin e gjykimit në themel, ndërsa procesi parashikohet të jetë i gjatë për shkak të natyrës së ndërlikuar të çështjes dhe numrit të lartë të të akuzuarve.