I akuzuari i tretë për vrasjen e Liridona Ademajt, Kushtrim Kokalla, djali i dajës së Naim Murselit, u paraqit të premten para trupit gjykues në Gjykatën Themelore të Prishtinës, ku dha dëshmi mbi takimet që kishte pasur me Naim Murselin dhe Granit Plavën, të akuzuarit e tjerë për ngjarjen e 29 nëntorit 2023.
I marrë në pyetje nga avokati i tij mbrojtës, Nderc Dodaj, Kokalla deklaroi se në asnjë nga takimet ku kishte qenë i pranishëm nuk ishte diskutuar për ndonjë plan për vrasje. Megjithatë, ai tregoi se në takimin e dytë me Murselin dhe Plavën, të zhvilluar në një karburant, Naim Murseli u kishte dhënë para atij dhe Granit Plavës.
“Kur kemi shkuar me Granitin, është që mua më ka dhënë 300 euro. Jemi ulur e mi ka dhënë mua 300 euro për pagesë të kredisë, pasi që unë veç kam marr kredi për Naimin. Ndërsa 500 euro ia ka dhënë Granitit”, deklaroi Kokalla.
Sipas tij, momenti që e kishte lënë më shumë i tronditur ishte ai kur Murseli, pasi i dha paratë Granit Plavës, i tha: “knaqu”.
“Nuk më kujtohet a i ka thënë diçka Graniti Naimit, por Naimi i ka thënë Granitit, ‘knaqu’, ku unë mbeta i shokuar. Graniti në prezencën time nuk ja ka kërkuar, Naimi ja dha vet. Unë mbeta i shokuar”, deklaroi Kokalla.
Ai tha gjithashtu se Naim Murseli i kishte kërkuar që vrasjen ta kryente vetë ai, por se kishte refuzuar. Në dëshminë e tij, Kokalla pranoi se kishte qenë në dijeni të problemeve mes Murselit dhe Liridona Ademajt.
“Unë kam qenë në dijeni që kanë probleme, Naimi me tani të ndjerën Liridonën. Por nuk jam i vetmi person që jam në dijeni që kanë probleme”, tha ai.
I pyetur nga kryetarja e trupit gjykues se për çfarë problemesh bëhej fjalë, Kokalla u përgjigj: “Punë xhelozie, të gjithë i kanë ditë problemet”.
Në seancë u trajtuan edhe takimet që Kokalla kishte pasur me Naim Murselin ditën e krimit, si dhe qëndrimi i tyre në një hotel. Avokati i tij lexoi një pjesë nga deklarimi i mëparshëm, ku thuhej: “Në momentin që kemi hyrë në dhomë, Naimi më është drejtuar me fjalët e kreva këtë punë dhe unë jam shokuar menjëherë dhe i kam thënë nuk dua të di asgjë më shumë lidhur me këtë”, si dhe pjesën tjetër të deklaratës: “Pastaj po atë natë Graniti më ka thirrë për me shku në klub”, duke e pyetur nëse i kujtohej.
Kokalla u përgjigj:
“Më kujtohet, por se kam marr parasysh, sepse i kam thënë mos më folë për këso gjërash”.
I pyetur më tej nëse ishte takuar apo kishte biseduar me Granit Plavën pas ngjarjes, Kokalla deklaroi se kishte marrë vetëm një mesazh prej tij për të shkuar në diskotekën “Lit” në Prishtinë.
“Sa kam qëndruar në dhomë atë natë Graniti më ka shkruar a po vjen në ‘Lit’ në diskotekë në Prishtinë. Aty ka qenë edhe Valon Lluka. Unë i kam thënë ‘jo nuk mund të vij sepse kam një rast’. Nuk e kam takuar e as nuk kam folur me të”, tha ai.
Gjatë dëshmisë, Kokalla foli edhe për raportet që familja e tij ka pasur ndër vite me familjen Ademaj, duke theksuar se mes tyre ka pasur miqësi të hershme.
“Ka 60 vite që kemi miqësi me familjen Ademaj dhe gjithmonë kemi pas raporte të mira me ta. Nuk kemi pas asgjë të keqe mes vete. Por sot nuk po e shoh Leonardin këtu që me i thanë që bashkëshorten tënde çka e kam unë. E kam tezajkë. Falë meje ai është martu e sot është prind”, tha ai.
Në fund, Kokalla mohoi se kishte marrë para nga Naim Murseli për të vrarë Liridona Ademajn. Kur u pyet për deklarimin e dhënë më herët në polici, sipas të cilit i ishin ofruar para për këtë rast, ai tha se nuk i kishte pranuar kurrë.
“Nuk më kujtohet që më ka bë ofertë për vrasjen e gruas së tij”, tha fillimisht ai. Më pas, pasi avokati i kujtoi deklaratën në polici, ku thuhej “para më ka ofruar për këtë rast, por asnjëherë nuk kam pranuar, para as pas rastit”, Kokalla shtoi: “Po kjo më kujtohet. As para as mas rastit. Unë kam deklaruar më gjatë në polici, ju kam treguar por ata nuk i kanë futur në procesverbal. U kam treguar për problemet, ua kam treguar mesazhet e problemeve që kanë pas”.








