Kamioni nga Shqipëria me 55 kg drogë, arrestohen dy persona në Greqi (DETAJE)
Policia helene ka arritur që të ndalojë në një prej pikave doganore greke, një kamion me 55 kg lëndë narkotike, e cila vinte nga Shqipëria.
Si pasojë dy shtetas kanë përfunduar në prangat e policisë helene.
Sipas mediave lokale greke, kamioni i ngarkuar me lëndë narkotike, vinte nga Shqipëria dhe është ndaluar nga policia në vendin e quajtur Kastoria, një qytet në Greqinë Veriore, në pjesën afër Maqedonisë së Veriut.
Bëhet me dije se në kamion u gjendën tre qese me rreth 55 kg lëndë narkotike e dyshuar kanabis. Sasia e drogës e konfiskuar, ishte e shpërndarë në 30 pako dhe ishte gati për shitje. Ndërkohë policia greke konfiskoi gjithashtu kamionin, 5 celularë, 1.220 euro, si dhe 6 karta SIM.
Megjithatë, policia helene është rezervuar në dhënien e informacioneve të mëtejshme, duke mos zbuluar emrat e personave të ndaluar, përkatësisht, 32 dhe 24 vjeç, të cilët ishin duke hipur në kamion në momentin kur u arrestuan.
Kujtojmë se këto episode trafikimi janë shumë të shpeshta në pikat doganore midis Shqipërisë dhe Greqisë. Në shumë raste kur trafikantët pikasen nga policia kufitare helene, braktisin sasinë e drogës për tu arratisur dhe për t’i shpëtuar kapjes së policisë. Kryesisht lënda narkotike më e shpeshtë të cilën tentohet të trafikohet, është kanabisi./Gazetareforma.com/