Skip to content
Bota

Kalohet shifra 1 miliardë euro në Konferencën e Donatorëve, presidentja e KE: Lajm i mirë për shqiptarët

· 2 min lexim

Ditën e sotme u zhvillua në Bruksel Konferenca e Donatorëve për të ndihmuar Shqipërinë, për të kaluar pasojat e tërmetit të 26 nëntorit.

Në total për Shqipërinë u mblodhën 1,15 miliardë euro, në formën e projekteve, granteve dhe huave.

Presidentja e Komisionit Europian, Ursula Von Der Leyen, e cila ishte iniciatorja e Konferencës, u shpreh e befasuar nga mbështetja për Shqipërinë.

Ajo e ka cilësuar rezultatin e Konferencës së Donatorëve një lajm të mirë për Shqipërinë.

“Lajm i mirë për shqiptarët: Ne kemi tejkaluar objektivin tonë për rindërtimin dhe arritëm në një total prej 1.15 miliardë euro, përfshirë kontributet 400 milion euro të BE. Jam befasuar nga mbështetja. Edhe një herë Evropa qëndron së bashku kur ka më shumë rëndësi!”, shkruan presidentja e KE.

Disa nga shtetet që kontribuan më së shumti ishin Italia me 65 milion euro, Franca me 100 milion euro plus 60 milion euro hua për rimëkëmbjën e sistemit ujor.

Jashtë Europës, kontributin më të madh e dha Turqia me 46.3 milion euro, Emiratet e Bashkuara Arabe me 70 milion euro dhe bankat islamike me 365 milion euro.