Skip to content
Të Gjitha

Kajmaku në arrati, gjykata e merr zyrtarisht të pandehur

· 1 min lexim

Në Gjykatën e Tiranës është zhvilluar ditën e sotme seanca për ish-kreun e Bashkisë së Vorës, Agim Kajmakun.

Organi i drejtësisë ka pranuar padinë kundër Kajmakut dhe e ka marrë të pandehur.

Ish-kreu i Bashkisë së Vorës akuzohet për “Falsifikim formulari” dhe ushtrim kompetencash jashtë mandatit.

Në momentin që ishte shkarkuar nga KQZ, Kajmaku hoqi nga detyra dy nënkryetaret e bashkisë dhe emëroi një të besuar të tij.

Hetimi ndaj Kajmakut nisi pas akuzave të PD, e cila pretendonte se ai ishte dënuar në Greqi për falsifikim monedhash, me emrin e rremë Jorgo Toto.

Pretendimet e PD u vërtetuan nga Prokuroria e Përgjithshme, e cila bëri krahasimin e shenjave të gishtave të Kajmakut dhe Jorgo Totos.

Ish-kreu i Bashkisë së Vorës i mohoi fillimisht akuzat, ndërsa pas verifikimeve të Prokurorisë, publikoi një vendim të Gjykatës së Janinës, që e shpallte të pafajshëm.

Që prej datës kur u shkarkua nga KQZ, rreth 4 muaj më parë, Agim Kajmaku është në arrati dhe policia nuk ka arritur që të bie në gjurmët e tij.