Mes lotëve, dhimbjes dhe revoltës, familja e efektivit të Policisë së Shtetit Enea Mekolli, i vrarë një ditë më parë gjatë operacionit për arrestimin e të shumëkërkuarit Violand Braçellari në Maliq, ka ngritur akuza të forta ndaj institucioneve, duke kërkuar përgjegjësi për mënyrën se si u organizua aksioni që i kushtoi jetën 34-vjeçarit.
Gjatë homazheve të zhvilluara në Pallatin e Kulturës në Pogradec, ku qindra qytetarë, kolegë, familjarë dhe zyrtarë të lartë i dhanë lamtumirën e fundit efektivit të shpallur “Dëshmor i Atdheut”, xhaxhai i tij, Hazbi Mekolli, shpërtheu në akuza të drejtpërdrejta, duke deklaruar se nipi i tij ishte dërguar në një operacion tepër të rrezikshëm pa mbrojtjen e nevojshme.
Sipas tij, personi që ka dhënë urdhrin për zhvillimin e operacionit duhet të mbajë përgjegjësi ligjore për pasojat tragjike.
“Pa asnjë lloj mbrojtje. Personi që e ka urdhëruar duhet të përgjigjet para ligjit. Në operacion kanë qenë 6 veta. Më vonë kanë vajtur forca të tjera nga policia”, deklaroi Hazbi Mekolli.
Deklarata e familjarit të policit të vrarë krijon një kontrast të fortë me versionin zyrtar të dhënë vetëm pak orë më parë nga drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Skënder Hita.
Hita, duke folur për ngjarjen e rëndë, deklaroi se operacioni ishte realizuar nga strukturat më të specializuara të Policisë së Shtetit dhe se efektivët kishin kryer instruktazhin përkatës para ndërhyrjes.
“Nuk ishim në dijeni. Nëse do të ishte kërkuar një shqyrtim i plotë i të gjithë rastit, patjetër që do të ishin marrë masa më të forta. Punonjësit e Policisë së Shtetit janë të trajnuar sipas ligjeve dhe procedurave në fuqi. Në këtë rast kanë qenë të angazhuara strukturat më të specializuara, forcat ‘Shqiponja’, të cilat kishin për detyrë realizimin e operacionit.
Kanë qenë 40 efektivë policie në terren dhe të gjithë ishin të pajisur me jelekë antiplumb, sipas standardeve që kërkon një operacion i tillë. Megjithatë, arma kallashnikov e përdorur nga autori ka depërtuar tejpërtej jelekut antiplumb. Para nisjes së operacionit është kryer edhe instruktazhi i nevojshëm për të gjithë efektivët”, deklaroi Hita.
Por momenti më i fortë i ceremonisë së homazheve erdhi kur në Pallatin e Kulturës mbërriti Presidenti i Republikës, Bajram Begaj.
Teksa Presidenti iu afrua familjes për të shprehur ngushëllimet, Hazbi Mekolli nuk e fshehu revoltën dhe dhimbjen e tij. Me lot në sy dhe zë të dridhur, ai i kërkoi llogari kreut të shtetit për gjendjen e sigurisë në vend dhe për faktin që, sipas tij, krimi po dominon mbi shtetin.
“E latë këtë vend në dorë të krimineleve. Na mbylli derën, mos i lini kriminelet. Ka patur tre herë tentativë për ta arrestuar, duhet të merrni masa, po na vrisni, bëhuni të zotë. E latë këtë vend në dorë të krimineleve, po sundojnë kriminelet në çdo cep të Shqipërisë. Nuk dominon policia, por dominon krimi. Na fundosët. Na çuat në fund. Nuk kishte masa mbrojtëse”, iu drejtua ai Presidentit.
Fjalët e familjarit pasqyruan jo vetëm dhimbjen për humbjen e një djali, bashkëshorti dhe babai të dy fëmijëve të vegjël, por edhe revoltën për mënyrën se si ndodhi ngjarja që i mori jetën efektivit 34-vjeçar.
Enea Mekolli mbeti i vrarë gjatë operacionit për arrestimin e Violand Braçellarit në zonën e Lozhanit të Maliqit. Gjatë përplasjes me armë, Braçellari qëlloi me kallashnikov ndaj forcave të policisë, duke lënë të vdekur Mekollin dhe duke plagosur një tjetër efektiv.
Ndërsa Shqipëria i jep lamtumirën një tjetër polici të rënë në krye të detyrës, deklaratat e familjarëve kanë hapur një debat të fortë publik mbi organizimin e operacionit, masat e sigurisë së efektivëve dhe përgjegjësitë që duhet të mbahen për tragjedinë që la pas dy fëmijë pa baba dhe një familje të zhytur në zi.








