Një investigim i publikuar nga media ekuadoriane Infobae.com, në bashkëpunim me organizatën amerikane C4ADS (Center for Advanced Defense Studies), zbardh një rrjet të sofistikuar kompanish shqiptare që, nën maskën e tregtisë së bananeve, kanë trafikuar kokainë nga Amerika Latine drejt Evropës, përfshirë Shqipërinë.
Në qendër të këtij rrjeti qëndron Trifon Murataj, shtetas amerikan dhe pronar i kompanisë “Bana King”, i cili prej më shumë se një dekade vijon të operojë lirisht mes SHBA-së dhe Shqipërisë, pavarësisht se është përfshirë në dosje të DEA-s që nga viti 2014.
Sipas një emaili të publikuar nga hakerat, që i atribuohet DEA-s, Murataj dhe një bashkëpunëtor i tij përdornin kompaninë “Zico Sha” për të importuar me shumicë kokainë nga Ekuadori në Shqipëri. Kokaina ruhej më pas në një magazinë të kontrolluar nga rrjeti, për t’u shpërndarë në treg. DEA ka kërkuar zyrtarisht të dhëna për aktivitetin e kompanisë dhe të vetë Muratajt, por autoritetet shqiptare nuk kanë ndërmarrë asnjë veprim konkret.
Megjithëse emri i tij është lidhur me disa raste sekuestrimesh, ai nuk është thirrur kurrë për t’u marrë në pyetje. Në gusht 2023, ai figuron sërish në regjistrat e kompanisë në Shqipëri, ndërsa vazhdon të zotërojë biznese dhe prona në New Jersey, SHBA, përfshirë “Vision 22 LLC”.
Raporti evidenton se që nga viti 2014, gjashtë kompani shqiptare janë përfshirë në sekuestrime kokaine të nisura nga portet e Ekuadorit, me destinacion final tregun europian. Një skemë që përfshin rotacion të figurave drejtuese, por me të njëjtat struktura operative dhe logjistikë.
Në një nga rastet kryesore, kompania “Zico Sha”, që operon tregtarisht me emrin “Bana King LLC”, u përfshi në një sekuestrim droge në nëntor 2022. Pas hetimeve, Murataj u hoq përkohësisht nga regjistrat zyrtarë, por kompania rifilloi shpejt importet nga Ekuadori dhe zgjeroi aktivitetin me mish të ngrirë nga Brazili. Pak muaj më vonë, emri i tij u shfaq sërish në dokumentet zyrtare, duke treguar modelin e përsëritur të riciklimit të figurave drejtues.
Sipas C4ADS, me përjashtim të një rasti të vetëm, të gjitha kompanitë shqiptare që importojnë banane nga Ekuadori që nga viti 2022 janë përfshirë në dërgesa të sekuestruara me kokainë. Modeli është i përsëritur: administratorët zëvendësohen përkohësisht pas hetimeve apo ndalimeve, për t’u rikthyer më pas në skenë përmes strukturave të reja ligjore ose si përfaqësues të të tretëve.
Një tjetër shembull është kompania “Masabi Fruit”, e përfshirë në prill 2021 në një ngarkesë me banane të kontaminuar me kokainë. Pas arrestimit të Erjon Petit dhe Klajdi Xibraut, drejtimi i kompanisë kaloi te Shyqyri Xibrau, duke ruajtur të njëjtën strukturë funksionale. Aktiviteti nuk u ndërpre dhe itinerari i ngarkesave mbeti i pandryshuar.
Përtej kompanive, raporti ndalet edhe te figurat kryesore të trafikut shqiptar në Ekuador. Dritan Rexhepi, i njohur si një nga baronët më të fuqishëm të kokainës, u vendos në këtë vend në vitin 2012 dhe u arrestua në 2014. Edhe nga burgu Latacunga ai arriti të drejtonte aktivitetin kriminal në bashkëpunim me kartelin “Los Choneros”. Në vitin 2021, Rexhepi përfitoi masën e arrestit shtëpiak, nga e cila u arratis, duke mashtruar autoritetet me dokumente të falsifikuara. Rasti i tij u denoncua publikisht në prill 2023 nga Fernando Villavicencio, ish-deputet dhe kandidat presidencial, i cili u vra më vonë. Rexhepi u arrestua sërish në fund të vitit 2023 në Turqi.
Një tjetër emër i rëndësishëm është Dritan Gjika. Sipas organizatës ndërkombëtare GI-TOC (Global Initiative Against Transnational Organized Crime), ai drejtonte një rrjet që sillte deri në katër tonë kokainë në muaj nga Kolumbia, përmes Ekuadorit, drejt Evropës. Ai operonte përmes dymbëdhjetë kompanive të regjistruara ligjërisht në fushën e tregtisë së frutave dhe pasurive të paluajtshme, në bashkëpunim me biznesmenin ekuadorian Rubén Cherres, i cili u vra në vitin 2023.
Në këtë rrjet të zgjeruar trafikimi, ku ndërrimi i administratorëve dhe riorganizimi ligjor shërbejnë si fasadë për të njëjtat struktura kriminale, mbetet e paqartë nëse autoritetet shqiptare dhe ndërkombëtare do të arrijnë ndonjëherë të çmontojnë tërësisht mekanizmin që lejon trafikimin e kokainës përmes dërgesave të zakonshme të frutave tropikale.