Skip to content
Kronikë

I plagosën dy fëmijët dhe iu vra kunati, zbulohen tentativat e Gentjan Bejtjas për azil në Norvegji dhe Suedi

· 2 min lexim

Në mesnatë një ngjarje e rëndë ndodhi në Krujë, me një viktimë dhe 2 të plagosur.

Gentjan Bejtja dyshohet se ishte shënjestra e atentatit të mesnatës së kaluar në fshatin Larushk të Krujës, ku mbeti i vrarë kunati i tij 29-vjeçar Ramazan Sino dhe u plagosën dy fëmijët e tij të mitur 8 dhe 13 vjeç, ky i fundit në gjendje të rëndë për jetën.  Sipas burimeve, dyshohet se dy ditë më parë Bejtja ka qenë në shtëpi dhe se mund të ketë qenë në automjet me kunatin e tij mbrëmjen e djeshme, por ka zbritur më parë. Po kështu mësohet se autorët mund të kenë pasur dijeni për lëvizjet e tij prej ditësh.  Bejtja është një person i njohur për policinë dhe emri i tij ka dalë në disa ngjarje të mëparshme kriminale, teksa i kishte shpëtuar dy atentateve më herët në vite.

Nisur nga problemet në Shqipëri, Bejtja kishte kërkuar më parë azil në Norvegji fillimisht e më pas në Suedi, por këto kërkesa nuk i janë pranuar.

Kujtojmë se dhe një viktimë e krimit në Shqipëri Mario Majollari, i cili u vra më 11 prill 2018 në Tiranë, kishte kërkuar azil në Suedi, por i ishte mohuar. Madje mediat suedeze i kushtuan disa lajme kësaj ngjarjeje dhe faktit që 28-vjeçarit, i cili ishte kërcënuar me vdekje për shkak të hakmarrjes për një krim që kishte bërë babai i tij nuk mundi të shpëtonte duke u strehuar në këtë vend.