I dënuar për dy vrasje, zbardhet vendimi që nxorri nga qelia Viktor Ymerin
Viktor Ymeri në bashkëpunim me Gazmend Brakën kanë ekzekutuar në 1999 në Durrës dy anëtarë të një tjetër grupi kriminal, Arben Pajën dhe Ilir Xhungën.
Kështu, Ymeri u dënua me 25 vite burgim nga Gjykata e Apelit, por muajin e kaluar Gjykata e Elbasanit ka vendosur ta lirojë nga burgu.
Koha e përllogaritjes së shlyerjes së këtij dënimi, sipas Gjykatës së Apelit, fillon në 29 qershor 1999, dhe që prej kësaj dite e deri më tani, pjesa më e madhe e dënimit prej 25 viteve burgim thuajse se është kryer.
Ymeri është liruar në kushtet kur vendimi tjetër gjyqësor pranon si ditë burgu edhe ditët e punës.
Së fundmi, ‘Gazeta Panorama’ ka zbardhur vendimin e gjykatës.
Në këtë vendim thuhet edhe se vetë prokurori ka qenë dakord me kërkesën e Viktor Ymerit, por “pavarësisht kësaj për shkaqe të paqarta ai ka paraqitur ankim kundër këtij vendimi, duke refuzuar që të bëjë ekzekutimin e vendimit, në kundërshtim me atë që kishte urdhëruar vendimi gjyqësor”.


Prokuroria e Elbasanit nuk ka qenë dakord me vendimin e gjykatës për lirimin e Ymerit.
Sipas saj, gjykata ka zbatuar gabim ligjin, pasi ka llogaritur si ditë dënimi ditët e punës së kryera në burg.
Kështu, pritet që ajo të kërkojë kthimin e Ymerit në qeli.