Një ngjarje tronditëse është raportuar në Prishtinë, ku një djalë vetëm 5 vjeç dyshohet se është dhunuar dhe keqtrajtuar nga prindërit e tij. I mituri u dërgua një ditë më parë në Klinikën e Pediatrisë, ndërsa gjendja e tij ka kërkuar trajtim të specializuar mjekësor.
Sipas informacionit të deritanishëm, ndaj fëmijës dyshohet se është ushtruar dhunë sistematike. Autoritetet po hetojnë edhe dyshimet se ai ka pësuar dëmtime të rënda në këmbë. Pas rastit të rëndë, policia ka ndaluar prindërit, ndërsa ndaj tyre është caktuar masa e paraburgimit për një muaj.
Për gjendjen e të miturit ka reaguar edhe Klinika e Pediatrisë në Prishtinë, duke bërë të ditur se 5-vjeçari ndodhet në Kujdesin Intensiv Pediatrik dhe i është nënshtruar një ndërhyrjeje kirurgjikale.
“Klinika e Pediatrisë ju njoftojn se pacienti 5 vjeç, i hospitalizuar aktualisht në Kujdesin Intensiv Pediatrik, sot i është nënshtruar intervenimit të nevojshëm kirurgjik në nivel të shputave nga ekipet specialistike të Ortopedisë dhe Kirurgjisë Plastike.
Intervenimi sapo ka përfunduar dhe është realizuar sipas indikacioneve mjekësore. Gjatë procedurës kirurgjikale, gjendja e pacientit ka qenë stabile.
Pas përfundimit të intervenimit, pacienti është transferuar në Kujdesin Intensiv Pediatrik, ku po vazhdon trajtimin, mbikëqyrjen dhe përkujdesjen e mëtejme postoperatore.
Për shkak të ndjeshmërisë së rastit, ky është informacioni që aktualisht mund të ofrohet. Për çdo përditësim të mëtejmë lidhur me gjendjen e pacientit, mediat dhe publiku do të njoftohen në vijim vetëm përmes Zyrës për Informim pranë SHSKUK-së.
Njëkohësisht, theksojmë se ekipet profesionale shëndetësore janë duke ofruar përkujdesje maksimale dhe trajtimin e nevojshëm në përputhje me protokollet mjekësore. Për këtë arsye, lusim mediat që të kenë mirëkuptim dhe të shmangin presionet për informata shtesë, kërkesa për intervista apo forma të tjera të komunikimit të drejtpërdrejtë, pasi çdo informacion zyrtar nga Klinika e Pediatrisë do të përcillet vetëm përmes Zyrës për Informim pranë SHSKUK-së”, njofton spitali.
Ndërkohë, prindërit me inicialet A.K. dhe V.P. dyshohen për veprat penale “Shkelja e detyrimeve familjare” dhe “Lëndim i rëndë trupor”.
“Gjyqtarja e procedurës paraprake pas dëgjimit të palëve në procedurë dhe pas analizimit të shkresave të lëndës gjeti se kërkesa e Prokurorisë Themelore në Prishtinë për caktimin e masës së paraburgimit është e bazuar, andaj aprovoj kërkesën e PTHP-së, për caktimin e masës së paraburgimit ndaj të pandehurve A.K. dhe V.P, ashtu që të njëjtëve iu është caktuar masa e paraburgimit në kohëzgjatje prej 1 (një) muaji, për secilin”, thuhet në njoftim.








