Në Bulevardin Dëshmorët e Kombit u zhvilluan homazhe përkujtimore në nder të katër protestuesve të vrarë më 21 janar 2011, në 15 vjetorin e një prej ngjarjeve më të rënda të tranzicionit shqiptar. Familjarë të viktimave, qytetarë dhe përfaqësues të shoqërisë civile u mblodhën për të nderuar kujtimin e tyre dhe për të përsëritur kërkesën për drejtësi.
I pranishëm në homazhe ishte edhe Mark Nika, xhaxhai i Aleks Nikës, i cili humbi jetën gjatë protestës së asaj kohe. Ai deklaroi për mediat se familja e tij vazhdon të presë zbardhjen e plotë të ngjarjes dhe vënien para përgjegjësisë të autorëve dhe urdhëruesve.

“Vij çdo vit për shpirtin e Aleksit, nipit tim, dhe për familjarët e tjerë që humbën të dashurit e tyre këtu. Shoqëria shqiptare pret që të bëhet drejtësi. Ne nuk kërkojmë hakmarrje, por drejtësi. Përgjegjësia nuk duhet të harrohet”, u shpreh ai.
Mark Nika theksoi se shpresa e familjarëve mbetet te hetimet e SPAK, duke shtuar se drejtësia shqiptare ka një detyrim të vonuar ndaj viktimave të 21 janarit. Ai përmendi gjithashtu rolin e partnerëve ndërkombëtarë dhe të Gjykata Evropiane e të Drejtave të Njeriut, e cila ka konstatuar shkelje serioze dhe ka kërkuar një hetim të plotë dhe të pavarur për ngjarjen.
“Shpresojmë që edhe ambasadorët e vendeve aleate të na dëgjojnë. Ata na kanë premtuar mbështetje. Qëndrojmë me shpresë te SPAK-u dhe te Gjykata e Strasburgut”, tha ai.
Homazhet e këtij viti zhvillohen në një moment kur hetimet për 21 janarin janë rihapur dhe janë duke u administruar prova të reja, përfshirë audio-regjistrime dhe ekspertiza balistike, që pritet të hedhin dritë mbi përgjegjësinë politike dhe zinxhirin e urdhrave që çuan në vrasjen e katër protestuesve të paarmatosur. Për familjarët, ky mbetet shansi i fundit që drejtësia të mos mbetet vetëm një premtim.








