Një ngjarje e rëndë me elementë rrëmbimi dhe gjobëvënieje është zbardhur nga Policia e Tiranës, ku një ndërtues 32-vjeçar është marrë peng dhe dhunuar nga tre persona që i kërkonin fillimisht 2 milionë euro. Dy prej autorëve janë arrestuar, ndërsa një tjetër është shpallur në kërkim.
Ngjarja ka ndodhur më 31 mars 2026, ndërsa në pranga kanë rënë Hysen Neza, 33 vjeç dhe Kevin Neza, 25 vjeç. Në kërkim është shpallur Jurgen Neza, 28 vjeç, vëllai i njërit prej të arrestuarve. Të tre rezultojnë me precedentë penalë për vjedhje dhe përfshirje në konflikte, ndërsa sipas burimeve njihen edhe si përdorues të lëndëve narkotike.
Viktima është biznesmeni 32-vjeçar F. Sula, ndërtues nga Divjaka, i cili ishte kthyer nga jashtë rreth dy muaj më parë. Sipas hetimeve, ai ishte vënë prej kohësh në shënjestër nga autorët, të cilët kishin mbledhur informacione për lëvizjet e tij dhe dyshonin se dispononte shuma të mëdha parash.
Rrëmbimi ka ndodhur pranë zonës së ish-Parkut në Tiranë. Pasi kishte dalë nga një lokal dhe po lëvizte në një rrugicë, tre autorët i janë afruar të maskuar dhe janë prezantuar si agjentë të BKH-së. Nën këtë mashtrim, e kanë detyruar të hipte në automjet dhe më pas e kanë marrë peng.
Fillimisht, ata i kanë kërkuar 2 milionë euro, por pas refuzimit të viktimës, e kanë dhunuar fizikisht dhe e kanë ulur kërkesën në 1 milion euro. Pasi biznesmeni ka deklaruar se nuk dispononte një shumë të tillë, autorët e kanë zbritur kërkesën në 500 mijë euro. Në fund, e kanë liruar me kusht që të siguronte paratë.
Gjatë gjithë natës, 32-vjeçari është mbajtur i izoluar në një magazinë në Xhafzotaj, ku është dhunuar vazhdimisht. Të nesërmen në mëngjes ai është lënë i lirë dhe menjëherë është paraqitur në polici, ku ka bërë kallëzim të detajuar për ngjarjen.
Identifikimi i autorëve është bërë përmes kamerave të sigurisë në zonat ku kanë kaluar, pasi gjatë gjithë kohës kanë qenë të maskuar dhe të veshur me rroba të zeza.
Policia njofton se në kuadër të operacionit të koduar “Hijet” janë sekuestruar 5 automjete, 5 celularë, një shumë parash dhe sende të kundërligjshme. Ndërkohë vijon puna për kapjen e personit të tretë dhe për dokumentimin e plotë ligjor të rastit.
Materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë për veprime të mëtejshme.







