Një ngjarje tronditëse është zbuluar në Savona të Italisë, ku një 48-vjeçare shqiptare dyshohet se ka tentuar të vrasë vjehrrën e saj 73-vjeçare, duke e helmuar në mënyrë të përsëritur me helm për minj.
Sipas hetimeve, gruaja ka përzier substancën toksike në ushqimin e të moshuarës, e cila është me aftësi të kufizuara dhe e pambrojtur. Dyshimet u ngritën pas disa shtrimeve të njëpasnjëshme në spital, ku analizat zbuluan nivele të rrezikshme të helmit në gjakun e saj.
Rasti mori një kthesë të rëndë kur mjekët konfirmuan praninë e substancave toksike, duke ngritur alarmin për një helmim të qëllimshëm. Pas kësaj, autoritetet ndërhynë menjëherë dhe nisën hetimet.
Gjyqtari hetues i Savonës ka vendosur masa të forta ndaj 48-vjeçares shqiptare: ajo është detyruar të largohet nga banesa, i është ndaluar çdo kontakt me viktimën dhe është vendosur nën monitorim me byzylyk elektronik.
Gjatë kontrollit në banesë, policia gjeti një paketë helm për minj që përmbante brodifakum, substancë shumë e rrezikshme që dyshohet se është përdorur për helmimin.
Hetimi, i drejtuar nga Prokuroria e Savonës dhe i zhvilluar nga grupi hetimor i policisë, vijon për të zbuluar të gjithë dinamikën e kësaj ngjarjeje të rëndë dhe për të verifikuar nëse ka persona të tjerë të përfshirë.








