Tetë muaj pas dënimit me 18 vite burg në mungesë nga Gjykata e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, vendimi për Talo Çelën është bërë i prerë.
Kjo pasi ka kaluar afati për ankim në Apelin e Posaçëm dhe asnjëra nga palët nuk ka paraqitur kundërshtim. Përfaqësuesi ligjor i Çelës në Shkallën e Parë ishte i caktuar kryesisht, por për shkak se i pandehuri nuk i dha prokurë të posaçme, ai nuk pati mundësi të ankimohej në apel.
Talo Çela u shpall fajtor për grabitjen e 4.5 milionë eurove në aeroportin e Rinasit në prill 2019, ngjarje ku mbeti i vrarë organizatori kryesor, Admir Murataj.
Në tetor 2023, Gjykata dënoi me gjithsej 122 vite burg shtatë anëtarët e këtij grupi kriminal. Numri dy i bandës, Klement Çala, u dënua me 20 vite burg, ndërsa për gjashtë të tjerët, Oltion Veselin, Renaldo Sulajn, Saimir Çelën, Oltion Piklin, Alkon Bengasin dhe Eldi Çalën trupa gjykuese vendosi nga 17 vite për secilin.
Dënimet rezultuan më të ulëta se kërkesat fillestare të Prokurorisë së Posaçme, e cila kishte kërkuar 24 vite për Klement Çalën dhe nga 19 vite për secilin nga gjashtë të tjerët. Çështja për Ragip Hajdinin u pushua pasi ai ndërroi jetë në burg.
Nga zbardhja e komunikimeve në platformën Sky Ecc, Prokuroria ka zbuluar se Talo Çela kishte deklaruar se, në rast se do të provonin përfshirjen e tij në grabitjen e Rinasit, do të largohej për në Brazil për të marrë një identitet të ri.
Ai figuron prej vitesh në listën e personave më të kërkuar nga drejtësia shqiptare dhe është i lidhur me dhjetëra ngjarje të rënda kriminale. Hetuesit nuk përjashtojnë mundësinë që ai të jetë eliminuar fizikisht.