Skip to content
Të Gjitha

Gjykata e Shkodrës merr vendimin: “I forti i Shkodrës” do ta vuajë dënimin në Shqipëri

· 2 min lexim

“I forti i Shkodrës” duket se nuk do t’ia hedh paq. Gjykata e Shkodrës ka bërë të njohur se do të mbështesë vendimin e ardhur nga Belgjika për Safet Bajrin.

Bajri rezulton i dënuar me 8.9 vite burg në shtetin belg dhe në mungesë të ekstradimit, ai do ta vuajë dënimin e tij, në vendin tonë.

Ai është arrestuar në 21 shtator të vitit 2018 në zonën e “Xhamllikut” në Tiranë dhe vendimin për mosekstradimin, por kryerjen e dënimit këtu, e ka dhënë gjyqtari Sokol Shehu, me motivacion ende të paditur.

Po kush është Safet Bajri i quajturi ndryshe “I forti i Shkodrës”?

Safet Bajri ka qenë një nga kokat e drogës i cili në një operacion të zhvilluar në qytetin e Shkodrës, policia e shtetit   e arrestoi bashkë me 4 persona, të njohur si të afërm të Safet Bajrit, e më konkretisht; Ilir Rustemi (Bajri), 42 vjeç, Emrah Plaku, 22 vjeç, Astmer Bilali, 29 vjeç dhe Erogen Brajoviç, 36 vjeç. Këta persona, sipas policisë, janë anëtarë të grupeve kriminale aktive në qytetin e Shkodrës, por edhe më gjerë.

Më 25 janar 2017 ai u dënua nga Gjykata e Apelit e Brukselit me 9 vite burg, si kreu i një organizate kriminale të trafikut të drogës dhe prostitucionit në kryeqytetin belg. Kjo organizatë është përgjegjëse gjithashtu për shkatërrim të pronës, përdorim të armëve të zjarrit, tentativë vrasje, zhvatje e trafik të qenieve njerëzore me qëllim prostitucionin.

Mbi Bajrin rëndon edhe një dënim tjetër i 22 shkurtit 2014. Gjykata Penale e Brukselit e dënoi me 9 vite burgim si kreu i një organizate kriminale për trafik droge dhe 5 vite të tjera për posedim e trafik droge dhe heqje të paligjshme të lirisë e kërcënime me vdekje.