Skip to content
Politikë

GJKKO rrëzon kërkesën e nënkryetarit të Bashkisë së Tropojës

· 2 min lexim

Gjykata e Posaçme ka rrëzuar kërkesën e nënkryetarit të Bashkisë së Tropojës, Abedin Kërrnaja, për ndryshimin e masës së sigurisë.

Kërnaja, së bashku me kryetarin Rexhë Byberi, akuzohen për shpërdorim detyre dhe aktualisht janë në arrest shtëpie.

Kërkesa e Kërrnajes për një masë më të lehtë sigurie u refuzua nga gjykata, e cila e vlerësoi të pabazuar kërkesën e avokatit të tij.

Masa e arrestit shtëpiak mbeti në fuqi, ndërkohë që hetimet e SPAK vazhdojnë për rastin.

Masa e parë ishte caktuar në muajin shtator të këtij viti.

Gjykata e Posaçme ka vendosur arrest shtëpie edhe për kryetarin e Bashkisë së Tropojës, Rexhë Byberi.

Të dy akuzohen për shpërdorim detyre, prerje të paligjshme pyjesh dhe shkatërrim pronësie.

Sipas hetimeve të SPAK, Byberi dhe Kërrnaja, në bashkëpunim me njëri-tjetrin, kanë shkelur ligjin gjatë miratimit të dy vendimeve në Këshillin Bashkiak për ndërtimin e rrugëve, duke shkaktuar një dëm prej 277 milionë lekësh në buxhetin e shtetit.

Vendimi i GJKKO:

“Kërkuesi Abedin Kerrnaja më datë 11.11.2024 ka paraqitur pranë Gjykatës kërkesën me objekt: “Zëvendësimin e masës së sigurimit personal “Arrest në shtëpi”, parashikuar

nga neni 237 i Kodit të Procedurës Penale, caktuar me Vendimin nr. 112, datë 06.09.2024, të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar me një masë më të lehtë”.

2. Në përfundim të gjykimit, Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar me trup gjykues të përbërë nga gjyqtarja Etleva Deda, bazuar në nenet 246 pika 6 dhe 260 të K.Pr.Penale, me vendimin Nr. 642, datë 27.11.2024, vendosi:

1. Rrëzimin e kërkesës së kërkuesit/personit nën hetim Abedin Kerrnaja, meobjekt: “Zëvendësimin e masës së sigurimit personal “Arrest në shtëpi”, parashikuar nga neni 237 i Kodit të Procedurës Penale, caktuar ndaj tij me Vendimin nr. 112, datë 06.09.2024, të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar me një masë më të lehtë.”, si të pambështetur në ligj dhe prova.

2. Shpenzimet gjyqësore i ngarkohen kërkuesit.

3. Kundër këtij vendimi lejohet ankim brenda afatit ligjor në Gjykatën e Posaçme të Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar”.