Gjykata e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka vendosur kalimin për gjykim në themel të dosjes ndaj ish-presidentit Ilir Meta, ish-bashkëshortes së tij Monika Kryemadhi dhe disa të pandehurve të tjerë, duke hapur një fazë të re të një prej çështjeve më të bujshme të drejtësisë në vend.
Vendimi i GJKKO-së përfshin hetimet për tre çështje kryesore: aferën CEZ-DIA, lobimin e LSI në Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe hetimin pasuror. Ilir Meta akuzohet për fshehje pasurie, pastrim parash dhe korrupsion, akuza që rëndojnë edhe mbi ish-deputeten Monika Kryemadhi.
Sipas dosjes, Meta dhe Kryemadhi dyshohen se, në bashkëpunim me funksionarë të tjerë shtetërorë, përgjatë një periudhe disa vjeçare, kanë shfrytëzuar pozicionet e tyre për të favorizuar kompani private dhe për të përfituar shuma të konsiderueshme parash, të cilat më pas janë përpjekur t’i fshehin duke mos i deklaruar në institucionet përkatëse si ILDKPI dhe KQZ.
Në këtë proces janë përfshirë edhe persona të tjerë. Fatime Kryemadhi dhe Ema Çoku përballen me akuza për ndihmë në pastrimin e parave, ndërsa Pirro Xhixho akuzohet për korrupsion pasiv të funksionarëve të lartë në bashkëpunim. Hetimi për këtë çështje ka nisur në vitin 2019 pas dy kallëzimeve të depozituara në SPAK.
Pas vendimit të gjykatës, reagimet nga të pandehurit dhe mbrojtja e tyre kanë qenë të ashpra, duke e cilësuar procesin si të motivuar politikisht dhe të mbështetur në hetime të paplota.
Ish-presidenti Ilir Meta, nga paraburgimi ku ndodhet që prej tetorit 2024, reagoi përmes një postimi në rrjetet sociale, duke e cilësuar vendimin si një proces të manipuluar.
“Dihet se e gjithë Ramaforma ishte një Drejtësi me Regji, për të shtuar korrupsionin në përmasa skizofrenike në Shqipëri, siç e provoi edhe raporti i Transparency International, që faktoi përkeqësimin me 11 vende, krahasuar me një vit më parë.
Sot u shënua edhe një gjykim ‘me risi’.
Edhe pse gjykatësja konstatoi drejtësinë e shumë pretendimeve tona, me mungesën e qëllimshme të veprimeve hetimore nga akuza për moszbardhjen e së vërtetës, në vend që të kërkonte që të bëheshin këto hetime të domosdoshme, por të shmangura qëllimisht deri tani, vendosi që çështja të kalojë në gjykim, por edhe listoi të gjitha veprimet hetimore, që duhen bërë njëkohësisht për zbardhjen e së vërtetës.
Pra tani nuk do të kemi vetëm gjykim por paralelisht edhe hetim.
Sidoqoftë, duke shprehur keqardhjen që humbëm 6 muaj kohë, edhe pse u dokumentuan shumë gënjeshtra të akuzës gjatë këtij procesi, mezi presim fillimin e gjykimit në themel dhe i ftoj të gjithë gazetarët dhe të gjithë trupin diplomatik në Tiranë që të ndjekin çdo seancë.
Përfundimi i seancës paraprake na jep lirinë që të çmontojmë publikisht të gjitha gënjeshtrat, falsifikimet dhe mashtrimet që ndodhen në fashikuj.”
Edhe Monika Kryemadhi reagoi pas vendimit, duke e cilësuar procesin si politik dhe duke vënë në dyshim bazën e akuzave.
“Fatin tonë nuk e ka as GJKKO dhe as Prokuroria, por e kemi vetë në dorë. Kjo është një betejë me opinionin publik, nuk është betejë ligjore. Beteja jonë është beteja me vetëveten dhe zotin. Sa i përket vendimit të sotëm mund të them që ishte një vendim nën presion, jo të gjithë e përballojnë presionin. Gjyqtarja pranoi që në dosje 90% të akuzës së prokurorëve nuk ka asnjë provë. Në dosje nuk ka asgjë. Tani do kënaqeni, do shikoni të gjitha kartat e krediteve të bizneseve. Kanë paguar për dashnoret apo jo.”
Në një tjetër deklaratë, Kryemadhi u shpreh:
“Ne do kënaqemi përditë në seanca, do të shohim Big Brother të drejtësisë. Kjo është një drejtësi qesharake. Por ka një gjë të mirë ky vendim, se për në Strasburg Metës i jep shans të madh, jo vetëm për të zbardhur çështjen në lidhje me veten e tij, por edhe për të treguar që ato miliona dollarë taksapaguesit amerikanë dhe evropianë kanë paguar për një sistem drejtësie, për të cilën kryepolicët e drejtësisë thonë që gjykata afërmendsh merr vendimin që thotë prokuroria.”
Ndërkohë, avokati i Metës, Kujtim Cakrani, akuzoi gjykatën për standard të dyfishtë dhe për mospranim të kërkesave për hetime shtesë.
“Gjykata pasi relatoi kërkesat tona kur ne i kishim të bazuara për plotësim hetimet, gjykata i konstatoi se hetimet janë të paplota. Gjykata përsëri nuk u ngrit dot në lartësinë që kërkon detyra, nuk pranoi kërkesat dhe e kali çështjen për gjykim duke thënë që këto çështje zgjidhen vetëm në themel. Gjykata e themelit do të bëjë dhe prokurorin dhe gjykatësin. Nuk ka asnjë të re, sot ka përfunduar çështja ligjore në themel fillon çështja politike. Kjo është një procedurë koti.”
Ai shtoi se mangësitë lidhen me mungesën e dëshmive nga SHBA dhe nga figura politike në Shqipëri, përfshirë edhe zyrtarë të lartë.
Ilir Meta ndodhet në paraburgim që prej tetorit 2024, ndërsa Monika Kryemadhi është nën masën e sigurisë “detyrim paraqitje”. Me kalimin e dosjes në gjykim, pritet që në seancat e ardhshme të shqyrtohen në themel provat dhe pretendimet e palëve, në një proces që pritet të jetë i gjatë dhe me vëmendje të lartë publike.








