Një kufomë është konstatuar këtë të enjte në një zonë malore pranë Krrabës, në kufirin mes Tiranës dhe Elbasanit, ndërsa dyshohet se mund t’i përkasë 34-vjeçarit Eglant Koçi, i cili rezulton i zhdukur prej rreth dy javësh.
Sipas informacioneve paraprake, trupi u pikas gjatë kontrolleve intensive që policia po kryente prej ditësh me ndihmën e dronëve në kuadër të kërkimeve për gjetjen e Koçit. Menjëherë pas zbulimit, në vendngjarje mbërriti grupi hetimor për kryerjen e veprimeve procedurale dhe ekspertizave të nevojshme.
Autoritetet pritet të bëjnë identifikimin zyrtar të kufomës dhe verifikimet përkatëse për të përcaktuar nëse bëhet fjalë për Eglant Koçin.
Zhvillimi vjen në një moment kur hetimet për zhdukjen e 34-vjeçarit kanë marrë përmasa gjithnjë e më të rënda. Provat e mbledhura deri tani kanë forcuar dyshimet e hetuesve se ai mund të jetë vrarë.
Policia ka sekuestruar automjetin që dyshohet se është përdorur në ngjarje, ku gjatë kontrollit janë konstatuar njolla gjaku që do t’i nënshtrohen ekspertizës. Nga analizimi i kamerave të sigurisë dhe verifikimet në terren, hetuesit kanë siguruar prova që shtojnë dyshimet se Koçi mund të jetë ekzekutuar nga një person i njohur për të.
Për këtë ngjarje është shpallur në kërkim 41-vjeçari Armand Shakaj, i cili sipas policisë dyshohet se ka marrë peng 34-vjeçarin. Ndërkohë, në pranga ka përfunduar edhe 25-vjeçari Enea Zyferi, i dyshuar se ka ndihmuar Shakajn. Zyferi punonte si kamerier në lokalin në pronësi të këtij të fundit.
Hetuesit kanë gjetur motorin e Eglant Koçit, si dhe ambientin ku dyshohet se ai është mbajtur. Pamjet e kamerave të sigurisë tregojnë se nga ky vend largohet me automjet Armand Shakaj, ndërsa dyshohet se në makinë mund të ketë qenë edhe trupi i 34-vjeçarit.
Sipas dyshimeve paraprake, për të fshehur gjurmët, Shakaj ka lëvizur motorin e Koçit nga zona ku dyshohet se ndodhi krimi drejt zonës së 5 Majit, ku ai u gjet dy ditë më vonë.
Eglant Koçi u raportua i zhdukur më 4 qershor. Ai u pa për herë të fundit pranë sheshit “Willson” në Tiranë, duke lëvizur me motorin e tij me targë “CT969”. Kamerat e sigurisë kanë dokumentuar edhe disa lëvizje të tij në zona të ndryshme të kryeqytetit para zhdukjes.
34-vjeçari rezultonte i punësuar në një mobileri, ndërsa sipas burimeve hetimore ai shërbente edhe si person që transportonte para cash për këmbimin e kriptomonedhave. Një nga pistat kryesore që po hetohet lidhet pikërisht me këtë aktivitet.
Ndërsa priten rezultatet e ekspertizave për kufomën e gjetur pranë Krrabës, hetuesit po punojnë për të zbardhur plotësisht ngjarjen dhe për të konfirmuar nëse trupi i përket Eglant Koçit.








