‘Gjahu’ që erdhi nga qielli/ Ushtria meksikane kap avionin me 1,5 tonë… kokainë
Kishte kohë pa kapur një sasi të tillë, madje që vinte në këtë vend në rrugë ajrore, por ushtarakët që mbështesin forcat anti-drogë, janë habitur me “gjahun” që u ka rënë nga qielli.
Ushtria meksikane ka kapur një aeroplan që mbante 1,5 tonë kokainë, deklaroi presidenti Andres Manuel Lopez Obrador.
Aeroplani ishte ulur në rajonin e Chetumal-it në brigjet e Karaibeve.
Gazeta “Por Esto”, theksoi se ai po fluturonte ulët, pa drita të ndezura dhe pa leje për t’u ulur, ndërsa personi që ishte në bordin e avionit, u arrestua.
Lopez Obrador tha se, ushtria kishte zbuluar më parë tre aeroplanë që hynin në hapësirën ajrore të Meksikës, por vetëm njëri prej tyre u ul.
Kohët e fundit në rajonet e Amerikës Latine është aktivizuar sërish trafiku ajror i kokainës me aeroplanë kryesisht të vegjël sportiv ose turistik, për t’i shpëtuar autoriteteve dhe radarëve.
Disa aeroplanë që mbanin drogë, që besohet të vijnë nga Amerika e Jugut, janë zbuluar këtë vit në të njëjtin rajon të Meksikës, i cili kufizohet me Belizën dhe Guatemalën.
/GazetaReforma.com/