Eksperti i IT-së dhe një nga zërat aktivë të qëndresës qytetare, Gent Progni, ka bërë një deklaratë të fortë nga podiumi përpara Kryeministrisë, duke akuzuar autoritetet se tentuan të pengonin protestën dhe duke paralajmëruar një aksion ndaj profileve që, sipas tij, po përdoren për të sulmuar dhe përçarë qytetarët në rrjetet sociale.
Duke iu drejtuar protestuesve, Progni tha se pushteti është i frikësuar nga mobilizimi qytetar dhe se kjo, sipas tij, u pa edhe përmes përpjekjeve të policisë për të penguar mbarëvajtjen e tubimit.
“E dini sa frikë na kanë pasur dje? Janë tmerruar. Sot policia u mundua të na ndalonte gjeneratorin sepse nuk donin të mblidheshim prapë. Na kanë shumë frikë, më besoni!” tha Progni.
Ai u ndal edhe te komentet negative ndaj protestës në rrjetet sociale, duke u bërë thirrje qytetarëve të kontrollojnë profilet që shpërndajnë sulme kundër lëvizjes dhe të mos lejojnë, sipas tij, që ato të krijojnë përçarje mes protestuesve.
“Dua të flas pak për patronazhistët. Ju lutem kontrolloni çdo koment negativ për protestën dhe shikoni profilet, janë të gjitha profile fake. Të gjithëve duhet t’u bëjmë block që të mos bëjnë përçarje!” u shpreh ai.
Në fund të fjalës së tij, Progni dha edhe një paralajmërim të drejtpërdrejtë për strukturat që ai i cilësoi si pjesë të fushatës së monitorimit dhe propagandës në rrjetet sociale. Sipas tij, është zbuluar një databazë e re dhe të dhënat e personave të përfshirë do të bëhen publike.
“Kam edhe një mesazh për ta. Sot ju kemi zbuluar databazën e re dhe do t’iu nxjerrim me emër e do ju degjenerojmë të gjithëve!” përfundoi Progni.








