Skip to content
Të Gjitha

Gara për në Gjykatën e Lartë, KLGJ i dërgon Metës tre emrat e kandidatëve të përzgjedhur

· 3 min lexim

Ka përfunduar procesi i përzgjedhjes së kandidatëve që do plotësojnë 3 vendet vakante në Gjykatën e Lartë, lajm ky i bërë me dije nga Këshilli i Lartë Gjyqësor në një njoftim për mediat.

Tre kandidatët e përzgjedhur janë: Sokol Sadushaj, Ilir Panda dhe Ervin Pupe dhe do të pozicionohen një në fushën e të drejtës administrative, një në fushën e të drejtës civile dhe një në fushën e të drejtës penale.

Sokol Sadushaj, Ilir Panda dhe Ervin Pupe

Ndërkohë, të tre emra janë dërguar tek Presidenti për miratim.

Më tej në njoftim bëhet me dije se KLGJ po vijon procedurën e verifikimit të kushteve dhe kritereve ligjore të kandidimit për pozicionin e katërt në Gjykatën e Lartë, si edhe ka vendosur hapjen e procedurës së ngritjes në detyrë në Gjykatën e Lartë, nga radhët e gjyqtarëve, për plotësimin e pozicioneve të tjera të lira në Gjykatën e Lartë.

Kujtojmë se tre kandidatët kanë zhvilluar javën e kaluar intervistat para Këshillit të Lartë Gjyqësor ku bënë publike platformën e tyre, në të cilën të tre kishin pikë të përbashkët zgjidhjen e problemit të dosjeve.

NJOFTIMI I PLOTË
Këshilli i Lartë Gjyqësor njofton opinionin publik se pas plotësimit të kuadrit ligjor, hapi procedurat e kandidimit për në Gjykatën e Lartë, nga radhët e juristëve të spikatur, për tre pozicione të lira. Një në fushën e të drejtës administrative, një në fushën e të drejtës civile dhe një në fushën e të drejtës penale. Në përfundim të procedurave të kandidimit për secilin nga pozicionet e lira të shpallura, pas verifikimit të kushteve dhe kritereve ligjore të kandidimit për të gjithë konkurrentët, si dhe vlerësimin sipas meritave të kandidatëve të kualifikuar, Këshilli i Lartë Gjyqësor vendosi t’i propozojë Presidentit të Republikës emërimin e tre kandidatëve, konkretisht:
Me Vendimin nr. 110, datë 27.2.2020, Këshilli i Lartë Gjyqësor vendosi: T’i propozojë Presidentit të Republikës emërimin në Gjykatën e Lartë, nga radhët e juristëve të spikatur, të kandidatit z. Sokol Sadushaj; Me Vendimin nr. 111, datë 27.2.2020, Këshilli i Lartë Gjyqësor vendosi: T’i propozojë Presidentit të Republikës emërimin në Gjykatën e Lartë, nga radhët e juristëve të spikatur, të kandidatit z. Ervin Pupe; Me Vendimin nr. 111, datë 27.2.2020, Këshilli i Lartë Gjyqësor vendosi: T’i propozojë Presidentit të Republikës emërimin në Gjykatën e Lartë, nga radhët e juristëve të spikatur, të kandidatit z. Ilir Panda.
Pas bërjes përfundimtar të vendimeve të mësipërme, sot Këshilli i Lartë Gjyqësor ia përcolli ato Presidentit të Republikës, për të vlerësuar dhe vendosur emërimin e kandidatëve të propozuar. Këshilli i Lartë Gjyqësor po vijon procedurën e verifikimit të kushteve dhe kritereve ligjore të kandidimit për kandidatin për pozicionin e katërt nga radhët e juristëve të spikatur, si edhe vendosi në mbledhjen e datës 26.2.2020 hapjen e procedurës së ngritjes në detyrë në Gjykatën e Lartë, nga radhët e gjyqtarëve, për plotësimin e pozicioneve të tjera të lira në Gjykatën e Lartë.