Mijëra qytetarë u mblodhën sërish sot në protestën e 17-të kundër qeverisë Rama, ku mes zërave që folën në podiumin e improvizuar ishte edhe këngëtarja Gala Dragot, vajza e artistit Robert Aliaj Dragot.
Në fjalën e saj, Gala shprehu mbështetje për protestuesit dhe tha se lëvizja e tyre i ka dhënë besim se brezi i saj mund të sjellë ndryshimin që vendi ka nevojë. Ajo u bëri thirrje të rinjve të mos lejojnë ndërhyrjen e politikës në protestë, duke kujtuar se një gjë e tillë, sipas saj, ndodhi edhe me protestën e studentëve.
“Jam shumë e entuziazmuar nga protesta juaj. Më bën të besoj se brezi im mund të bëjë ndryshime. Jam kaq e lumtur që jeni kaq të ndërgjegjshëm për forcën që keni dhe për të ardhmen që doni. Kam qarë në protestën e studentëve me babain tim kur isha 13 vjeç. Më mbushi me shpresë, por dështoi nga ndërhyrja e politikanëve të dështuar.
Jam këtu për t’ju kujtuar se duhet të keni kurajo pa fund. Kurajo pa fund për të bërë ndryshime, për të rrëzuar këtë klasë politike të kalbur. Mos lejoni elementë politikë të ndotin lëvizjen tuaj. E ardhmja është e jona. Mos harroni, liria nuk dhurohet. Liria negociohet dhe duhet të luftosh për të. Jam e lumtur të them se brezi im do ta shpëtojë këtë vend. Le t’i japim fund totalitarizmit, rroftë Shqipëria”, tha Gala Dragot.
Mesazhi i saj u fokusua te ruajtja e pastërtisë së protestës dhe te besimi se ndryshimi duhet të vijë nga vetë qytetarët, veçanërisht nga të rinjtë që prej 17 ditësh po mbajnë gjallë lëvizjen në shesh.







