Skip to content
Të Gjitha

Futën në Shqipëri lëndë që dyshohet se ishin të rrezikshme, gjykata jep masat për 6 të arrestuarit

· 2 min lexim

Ditën e sotme në Gjykatën e Vlorës është zhvilluar seanca për 6 të arrestuarit gjatë operacionit “Amiant”.

Gjykata ka lënë në burg pronarin e firmës së grumbullimit, Zamir Kornuzin, zv. Kapitenin e tragetit “S.t.Damian”. Kujtim Xhaferllarin dhe shoferin e furgonit Arbër Çunin.

Në arrest shtëpie është lënë kapiteni i tragetit, Festim Tafa dhe administratorja e firmës së pastrimit “Delfini1”, Elisabeta Çuni.

Për drejtorin e agjencisë së biletave, është dhënë masa detyrim paraqitje.

Mësohet se gjatë seancës, Elisabeta Çuni nuk është ndjerë mirë dhe i kanë rënë të fikët.

Familjarët e të arrestuarve kanë mohuar akuzat dhe kanë thënë se kanë punuar për bukën e gojës.

Bëhet me dije se të arrestuarit kanë bërë 15 rrugë, pa arritur të zbuloheshin, duke u kamufluar pas një firme pastrimi.

Mbetjet e dyshuara të rrezikshme ishin vendosur nëpër enë të mbështjella me një letër të verdhë, që mbante sipër logon e një firme italiane të quajtur “Eni”.

Më pas ato ishin vendosur në disa fuçi të mëdha e të zeza, të cilat po ashtu ishin me logon e verdhë “Eni”.

Kompania në fjalë e ka bazën në Romë dhe merret me shpërndarjen e gazit në banesa dhe me linjën e energjisë elektrike.