Në Portin e Durrësit është regjistruar një rritje e konsiderueshme e fluksit të udhëtarëve dhe automjeteve ditët e fundit.
Nga data 31 korrik deri më 3 gusht, në Shqipëri kanë hyrë përmes linjave detare me Italinë rreth 24,374 persona dhe 7,780 mjete, duke shënuar kështu një valë të fortë të lëvizjeve para periudhës së Ferragostos. Në të njëjtën kohë, nga porti kanë dalë 9,789 pasagjerë dhe 2,896 mjete.
Kapiteni i portit, Tauland Allka, thekson se bashkëpunimi mes autoriteteve dhe operatorëve portualë ka lejuar një menaxhim efikas dhe pa probleme të hyrjeve dhe daljeve, me fokus të veçantë në fluksin e madh të personave që hyjnë në vend.
Pritet që ky intensitet i lëvizjeve të vazhdojë deri më 15 gusht, kur mërgimtarët shqiptarë nga Italia dhe vende të tjera festojnë Ferragostin duke u kthyer në atdhe për pushime.