Skip to content
Aktualitet

Festa e Sulltan Nevruzit/ Politikanët urojnë besimtarët e komunitetit bektashian

· 2 min lexim

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ka uruar besimtarët bektashian për festën e “Sulltan Nevruzit”. Përmes një postimi në “Facebook”, ku ka publikuar dhe një foto të Imam Aliut, Rama uron besimtarët:

“Gëzuar Ditën e Sulltan Nevruzit të gjithë Komunitetit Bektashian”. Dita e Sulltan Nevruzit, e ka progjinën nga persishtja dhe do të thotë “dita e re”, shkruan Rama.

Gjithashtu një urim ka ardhur dhe nga kryetari i Kuvendit, Gramoz Ruçi. Në një letë urimi dërguar Kryegjyshit Botëror të Bektashinjve, Haxhi Dede Edmond Brahimaj, kryeparlamentari thotë se Bektashinjtë janë misionarë të atdhetarizmit, tolerancës e humanizmit.

Letra:

“I dashur Baba Mondi, Ju falenderoj nga zemra për ftesën për të marrë pjesë në veprimtaritë që kremtojnë Ditën e Sulltan Novruzit dhe 30 vjetorin e rihapjes së Kryegjyshatës Botërore Bektashiane. Për shkak të angazhimeve të mia zyrtare, e kam të pamundur tiu bashkohem në këtë gëzim fizikisht. Me zemër jam atje dhe gëzoj e lumturohem bashkë me ju.

Dy ngjarjet e shënuara, të cilat festojmë sot, zbukurojnë jo vetëm jetën e bektashinjve, por të të gjithë shqiptarëve, në këto kohë të vështira të pandemisë, kudo ku ata jetojnë në Shqipëri, Kosovë, Maqedoninë e Veriut, Mal të Zi, vendet e tjera të rajonit dhe në Diasporë.

Bektashizmi ka qenë në çdo kohë një pasuri e madhe shpirtërore, kulturore dhe njerëzore për shqiptarët dhe bektashinjtë rrezatues, misionarë dhe edukatorë të atdhetarizmit, solidaritetit, tolerancës dhe humanizmit.

Këto vlera dhe këtë forcë të madhe shpirtërore, bektashinjtë e treguan edhe gjatë dekadave kur dhuna politike i ndaloi të ushtronin ritet e tyre në komunitet, në teqetë dhe vendet e shenjta.

Forca e qëndresës bektashiane po shfaqet edhe gjatë këtyre stinëve të vështira të pandemisë, duke lehtësuar pasojat e saj të besimtarët dhe të gjithë shqiptarët. Bektashizmi, kjo shkollë e madhe e tolerancës, është njëkohësisht një shkollë e madhe e besimit, fuqisë, mbijetesës dhe rezistencës ndaj të keqes.

Ju përshendes edhe njëherë të gjithëve, ju, pjesëmarrësit në festë, besimtarët bektashinj dhe të gjithë shqiptarët dhe ju uroj shëndet e gëzime në vatrat familjare.”, shkruan në letrën e tij Kryetari i Kuvendit,  Gramoz Ruçi.

Një urim për gjithë bektashinjtë ka përcjellë edhe kryeministri Edi Rama, i cili në një postim në Facebook shkruan: “Gëzuar Ditën e Sulltan Nevruzit të gjithë Komunitetit Bektashian”