Skip to content
Kryesore

Ermal Onuzi largohet nga drejtimi i Gardës së Republikës

· 2 min lexim

Ermal Onuzi dha dorëheqjen nga posti i komandantit të Gardës së Republikës, ku ishte emëruar vetëm para 9 muajsh, më 10 shtator 2024.

Emërimi i tij ishte shoqëruar me polemika dhe dyshime, pasi u bë në mënyrë të paracaktuar dhe në kundërshtim me ligjin, duke kaluar mbi kriteret ligjore dhe konkurrencën e hapur.

Para zgjedhjes së tij, kryeministri Edi Rama ndryshoi nenin 17 të ligjit për Gardën e Republikës, për t’i hapur rrugë Onuzit, i cili nuk plotësonte disa kushte bazë si përvoja në Gardë, gradat e nevojshme dhe mungesa e certifikatës së sigurisë.

Ky ndryshim ligjor u konsiderua si një veprim i ndikuar politikisht, i cili i garantoi atij drejtimin e Gardës pa përmbushur kriteret formale.

Gjatë mandatit të tij të shkurtër, emri i Onuzit u përfshi në një seri akuzash për lidhje me aktivitete kriminale dhe korrupsion, duke përfshirë përfshirjen në trafik armësh dhe kontrabandë, si dhe ndikimin në lehtësimin e kalimit të lëndëve narkotike përmes porteve kryesore të vendit.

Megjithë këto shkelje dhe akuza, ai vazhdoi të mbante detyrën falë mbështetjes politike dhe ndryshimeve ligjore të veçanta.

Dorëheqja e tij u paraqit në Ministrinë e Brendshme, por arsyeja zyrtare mbetet e paqartë. Përkohësisht, drejtimin e Gardës do ta marrë një nga nëndrejtorët aktualë, derisa të emërohet një komandant i ri sipas rregullave ligjore.