Skip to content
Kryesore

Ekzekutimi i Kristian Markut, policia shoqëron 4 persona në Rrëshen

· 1 min lexim

Policia ka shoqëruar katër persona në Rrëshen në lidhje me atentatin ndaj 30-vjeçarit Kristian Marku, i cili u gjet i pajetë në autostradën Fier-Vlorë.

 

Viktima u qëllua me armë zjarri nga persona ende të paidentifikuar, ndërsa në vendin e ngjarjes u gjetën nëntë gëzhoja dhe një tjetër disa metra më larg.

Tre plumba e kanë kapur Markun në trup, duke i shkaktuar vdekjen e menjëhershme.

Sipas burimeve, Marku kishte precedent penal për “Vrasje me dashje në bashkëpunim, mbetur në tentativë” dhe “Mbajtje pa leje të armëve dhe municionit luftarak”.

Pas atentatit, automjeti i dyshuar i autorëve, që mendohet se ishin tre persona, u gjet i djegur.

Kristian Marku, i njohur edhe si Kristian Bardhi, është nipi i Martin Bardhit (Marjan Marku), një emër i njohur në zonë për konflikte të mëparshme.

Në vitin 2023, Marjan dhe Kristian Marku ishin përfshirë në një atentat ndaj Sajmir Reçit, nipit të Kastriot Reçit, në qytetin e Rrëshenit.

Hetimet e policisë janë përqendruar kryesisht në pistën e hakmarrjes, duke marrë parasysh konfliktet e gjata mes dy familjeve në Rrëshen.

Ndërkohë, grupi hetimor po punon intensivisht për identifikimin e autorëve dhe zbardhjen e plotë të ngjarjes.