Një ngjarje tronditëse është zbuluar në zonën e Lanabregasit në Dajt, ku dhjetëra qen të ngordhur janë gjetur të ngrirë dhe të futur në qese plastike identike, të hedhur në koshat e mbetjeve. Rasti ka ngritur dyshime serioze për një veprim të organizuar dhe të paligjshëm, ndërsa përfshirja e institucioneve vendore nuk përjashtohet.
Sipas të dhënave, rreth 11 qen të ngrirë janë gjetur në dy pika të ndryshme, shumë pranë njëra-tjetrës. Të gjithë ishin të futur në qese plastike të njëjta, çka sugjeron një procedurë të koordinuar për fshehjen e gjurmëve.

Rasti u konstatua nga Indrit Osmani, pjesëtar i një organizate për mbrojtjen e kafshëve, i cili në një prononcim për Syri TV e cilësoi ngjarjen si një krim të mirëorganizuar. Ai tha se kishte pasur edhe më herët denoncime për raste të ngjashme dhe ngriti dyshime se pas kësaj mund të qëndrojë Bashkia e Tiranës.
Sipas Osmanit, dyshohet se qentë janë vrarë dhe më pas janë ngrirë në ambiente frigoriferike, që mund të jenë pjesë e një strukture veterinare apo spitalore, përpara se të hidhen në mënyrë të paligjshme në zonat periferike.
Një element tjetër që forcon dyshimet është fakti se tek disa prej kafshëve janë vërejtur ndërhyrje që lidhen me sterilizimin, procedurë që realizohet vetëm në klinika të specializuara.
Përveç aspektit të rëndë moral, hedhja e kafshëve të ngordhura në koshat e mbetjeve, pa u groposur sipas rregullave, përbën shkelje të ligjit dhe rrezik për shëndetin publik.
Osmani deklaroi se do ta ndjekë çështjen deri në fund, edhe pse u shpreh skeptik për mundësinë e vendosjes së drejtësisë në këto raste.
Në vendngjarje kanë mbërritur forcat e policisë, oficerë të policisë gjyqësore dhe ekspertë veterinarë, të cilët kanë kryer veprimet e para hetimore. Sipas tyre, pritet të nisë një hetim i plotë për zbardhjen e rrethanave dhe identifikimin e përgjegjësve.








