E quajti mafioz dhe ushtar të partisë, Meta bën gati padinë për Dvoranin
Presidenti Ilir Meta ka bërë gati padinë ndaj kreut të Këshillit të Emërimeve në Drejtësi, Ardian Dvorani.
Më herët Meta e ka quajtur Dvoranin mafioz dhe ushtar të partisë.
Kreu i Shtetit akuzon kreun e KED, për shpërdorim detyre dhe përvetësim i titullit apo detyrës shtetërore.
Sipas Metës Dvorani ka kryer shkelje në përpilimin e listave të kandidatëve për Gjykatën Kushtetuese.
Padinë Kreu i Shtetit do ta dorëzoj të hënën.
“Së pari jam i gëzuar për fillimin e funksionimit të Gjykatës Kushtetuese. Së dyti, dëshiroj t’ju bëj të ditur vendimin tim si President i Republikës dhe Kryetar i Shtetit për të paraqitur ditën e hënë kallëzim penal si President i Republikës kundër zotit Ardian Dvorani me detyrë kryetar i Këshillit të Emërimeve në Drejtësi, me adresë Gjykata e Lartë Tiranë. unë president i Republikës dhe Kryetar i Shtetit akuzoj Ardian Dvoranin për këto vepra penale: shpërdorim detyre dhe përvetësim i titullit apo detyrës shtetërore. Baza ligjore Kushtetuta e Republikës së Shqipërisë. Të nderuar zonja dhe zotërinj prokurorë, Presidenti i Republikës në cilësinë e Kreut të Shtetit, sipas ligjit për Gjykatën Kushtetuese dhe organet në sistemin në drejtësi ka ndjekur procesin e funksionimit të reformës në drejtësi. Presidenti në vijimësi ka bërë thirrje kundrejt të gjithë institucioneve të përfshira në proces në respektimin e Kushtetutës dhe Ligjit”, deklaroi Meta.
Konflikti institucional nisi pas dekretimit të Marsida Xhaferllarit nga Meta.
Ky i fundit nuk pranoi të dekretonte Arta Vorpsin, pasi sipas tij, emërimi i saj nga Kuvendi ishte anti-kushtetues.
Me këtë lëvizje të Metës, u bënë dy kandidate për të njëjtin post në Kushtetuese.
Ndërkohë Gjykata Kushtetuese në një deklaratë të fundit, ka njohur anëtaret e betuara te presidenti.