“Mos e prek Durrësin”/ Banorët kundër projektit TID, vezë drejt Bashkisë

Banorët e prekur nga projekti TID në Durrës kanë protestuar sot përpara Bashkisë, ndërsa brenda institucionit po zhvillohej mbledhja e radhës e Këshillit Bashkiak. Ata kërkojnë shfuqizimin e projektit dhe transparencë të plotë mbi procedurat e ndjekura dhe pronat që preken nga ndërhyrja.
Gjatë protestës situata është tensionuar, teksa qytetarët kanë hedhur vezë në drejtim të godinës së Bashkisë, në shenjë kundërshtimi ndaj projektit dhe shpronësimeve.
Sipas banorëve, rreth tre javë më parë ata i janë drejtuar Bashkisë së Durrësit me një kërkesë zyrtare për informacion mbi projektin dhe pronat që preken, por deri më tani nuk kanë marrë përgjigje.
Çështja ka përfunduar edhe në rrugë gjyqësore. Në kuadër të procesit që po zhvillohet në Gjykatën Administrative të Tiranës, është kërkuar pjesëmarrja e drejtoreshës së Drejtorisë Juridike të Bashkisë Durrës, Almeida Rroshi.
Gjatë protestës, qytetarët kanë shpalosur pankarta kundër projektit dhe shpronësimeve.
“Kryetare Emiriana Sako, ndalo shpronësimet! Mos shto veprat penale!”, “Mos e prek Durrësin!”, “AADE mos prekni trashëgiminë!”, “S’na keni informuar, ju gënjeni” dhe “Bashki, po na hidhni nga banesat tona në rrugë” ishin disa prej sloganeve të përdorura nga protestuesit.
Banorët kërkojnë që institucionet të bëjnë publik informacionin e plotë mbi projektin, procedurat e ndjekura dhe mënyrën se si do të trajtohen pronat dhe banesat e prekura.