Skip to content
Të Gjitha

E kthyen shtëpinë në laborator droge/ Arrestohen nëna dhe djali në Fier, në kërkim babai

· 3 min lexim

Policia e Fierit ka zbuluar një laborator droge në Mbrostar të Fierit, brenda të cilit u gjetën 312 fidanë kanabis.

Në pranga ranë Qamile Kapaj, 48 vjeçe dhe Anxhelo Kapaj,  22 vjeç, nënë e bir, ndërsa u shpallën në kërkim, babai A.K. dhe një 33 vjeçar me iniciale F.B., banues në Kosovë.

Kjo familje kishte përshtatur banesën, me aparatura që shërbejnë për kultivimin dhe prodhimin e lëndës narkotike

Gjithashtu u proceduan penalisht tre elektriçistë G.M., E.M. dhe B.Q., të cilët kanë shpërdoruar detyrën duke lejuar lidhjen e jashtëligjshme, e cila shërbënte për furnizimin me energji të pajisjeve për rritjen e kanabisit.

Materialet i kaluan Prokurorisë së Fierit për veprime të mëtejshme.

Njoftimi i policisë

Fier

Finalizohet me sukses operacioni antikanabis i koduar “Laboratori”, zhvilluar nga seksioni për hetimin e narkotikëve në DVP Fier.

Policia zbulon një laborator, i cili ishte në funksion të kultivimit të bimëve narkotike.

Vihen në pranga 2 autorë të dyshuar dhe 2 të tjerë shpallen në kërkim.

Procedohen penalisht 3 elektricistë për shpërdorim detyre.

Nga ana e Seksionit për hetimin e narkotikëve në Drejtorinë Vendore të Policisë Fier, pas informacioneve të marra më parë në rrugë operative, u finalizua operacioni antikanabis i koduar ”Laboratori”, në kuadër të të cilit u arrestuan në flagrancë A.K., 22 vjeç dhe Q.K., 48 vjeçe, banues në Mbrostar, Fier.

U shpallën në kërkim dy bashkëpunëtorë të tjerë, konkretisht shtetasit A.K., banues në Mbrostar, Fier dhe F.B., 33 vjeç, banues në Kosovë.

Shtetasit e mësipërm, në bashkëpunim me njëri- tjetrin, kishin përshtatur ambientin e banesës së 53-vjeçarit A.K., me aparatura që shërbejnë për kultivimin dhe prodhimin e lëndës narkotike.

Gjatë kontrollit të banesës, u gjetën dhe u sekuestruan në cilësinë e provës materiale 312 fidanë të dyshuar Kanabis, të kultivuara, pajisjet të cilat kanë shërbyer për kultivimin e bimëve narkotike si dhe një pajisje presimi, gërshërë etj.

Nga këqyrja në ambientet e jashtme të rrjetit elektrik, është konstatuar një lidhje e paligjshme e energjisë elektrike, e cila shërbente për furnizimin e paisjeve, që ndihmonin në kultivimin dhe rritjen e bimëve narkotike.

Në këtë kuadër u proceduan penalisht tre elektricistë, G.M., E.M. dhe B.Q., banues në Fier. Këta shtetas duke shpërdoruar detyrën kanë lejuar lidhjen e paligjshme të energjisë elektrike në banesën e shtetasit A.K.

Materialet për veprime të mëtejshme do t’i kalojnë Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së parë Fier, për veprat penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”, “Kultivimi i bimëve narkotike”, “Vjedhja e energjisë elektrike” dhe “Shpërdorimi i detyrës”.