Parlamenti Evropian sapo miratoi rezolutën për Raportin e Komisionit Evropian për Shqipërinë për vitin 2025, duke shprehur shqetësime serioze për zhvillimet që po ndodhin brenda Zonës së Mbrojtur Vjosë-Nartë. Në rezolutë theksohet se sundimi i ligjit dhe standardet mjedisore të BE-së janë kushte të panegociueshme për anëtarësimin.
Rezoluta kërkon shfuqizimin e ndryshimeve të vitit 2024 në Ligjin për Zonat e Mbrojtura, një legjislacion që, sipas BirdLife Europe, ka mundësuar shkatërrimin e një prej zonave natyrore më të jashtëzakonshme të Mesdheut.
Ajo kërkon gjithashtu një “moratorium të menjëhershëm për procedurat e reja të lejeve, punimet e ndërtimit dhe ndërhyrjet zhvillimore brenda zonave të mbrojtura, derisa dispozitat e papajtueshme të Ligjit të ndryshuar për Zonat e Mbrojtura në Shqipëri të shfuqizohen dhe të sigurohet përputhshmëri e plotë me standardet e BE-së për mbrojtjen e natyrës”.
Rezoluta e miratuar kërkon në mënyrë specifike shfuqizimin e ndryshimeve të vitit 2024 në Ligjin për Zonat e Mbrojtura, të cilat lejojnë infrastrukturë turistike në shkallë të gjerë brenda zonave të mbrojtura dhe dobësojnë mekanizmat kryesorë të mbikëqyrjes mjedisore.
Eurodeputetët shprehën gjithashtu shqetësim të thellë për Ligjin e Investimeve Strategjike në Shqipëri, pasi procedurat e përshpejtuara të lejeve rrezikojnë të anashkalojnë kontrollin mjedisor në zona të ndjeshme.
Sipas postimit, që nga fillimi i majit 2026, ndërtimet kanë vijuar brenda zonës së mbrojtur pa asnjë projekt të publikuar, pa vlerësim të ndikimit në mjedis, pa konsultim publik dhe pa leje të vlefshme. Kjo, sipas BirdLife Europe, bie në kundërshtim të drejtpërdrejtë me angazhimet e Shqipërisë për anëtarësim, si në legjislacionin mjedisor të BE-së, ashtu edhe në Grupin 1 që lidhet me sundimin e ligjit. Kjo vjen pas ndërtimit të paligjshëm të Aeroportit Ndërkombëtar të Vlorës në të njëjtën zonë, i cili nisi në nëntor 2021.
Drejtuesja e politikave në BirdLife Europe, Anouk Puymartin, u shpreh:
“Sot Parlamenti Evropian qëndroi në krah të mijëra shqiptarëve në rrugët e Tiranës. Mbrojtja e Vjosë-Nartës dhe respektimi i Direktivave për Zogjtë dhe Habitatet janë kusht themelor për anëtarësimin në BE. Shqiptarët që protestojnë në Tiranë e dinin tashmë se mbrojtja e natyrës dhe mbrojtja e demokracisë janë e njëjta betejë. Sot, këtë e tha edhe Parlamenti Evropian.”








