Funksioni i programit SelfCare, i administruar përmes platformës e-Albania, vijon të mbetet jashtë funksionit, duke u kthyer në një problem të përsëritur dhe të lodhshëm për bizneset dhe kontabilistët në të gjithë vendin.
Edhe gjatë ditës së sotme, përdoruesit raportuan se SelfCare nuk aksesohet, pas disa ditësh ku platforma kishte funksionuar pjesërisht. Shumë ekonomistë u detyruan të punonin gjatë fundjavës, kur sistemi ishte i aksesueshëm me vështirësi, ndërsa dita e hënë solli rritje të ndjeshme të ngarkesës. Aktualisht, gjatë përpjekjes për hyrje, në ekran shfaqet mesazhi: “Ju duhet të aksesoni: https:/-/e-albania.al/”.
Të paktën që prej datës 20 janar, profesionistët e fushës po përballen me një situatë që e bëjnë praktikisht të pamundur kryerjen e shumë veprimeve bazë në platformën SelfCare, e cila është mjet kyç për funksionimin e sistemit fiskal dhe administrativ.
“U bë e lodhshme vërtet dhe as nuk merret në konsideratë elementi stres. Ky është një artikull që duhet ta shkruajnë dhe publikojnë mediat. Ja psh. vetëm duke lexuar sms e grupit sot edhe pse nuk kam provuar platformën më është krijuar një mungesë dëshire të punoj llogarit ju qe e keni përjetuar. E vetmja e mire është që flasim në grup dhe është si një terapi e përbashkët për të mbajtur lart moralin dhe humorin. Ne madje kryem edhe një sondazh për këtë gjë.
Ajo që pala përballë e konsideron si kapriço dhe prishje rehati këtë ankesë tonën për ne është vetë “jeta”. Nuk është si mungesa e telefonit kur s’ke vale, por është vetë puna jone edhe koha jonë. Kemi dyfishim të kohës në procesim dhe përgjysmim të kohës së lirë. Me vjen shumë keq që po e përjetojmë gjithë këtë a thua se jemi pjese e ndonjë eksperimenti”, thotë Arbërore, ekonomiste.
Mosfunksionimi i SelfCare po bllokon punën e shumë bizneseve, përfshirë personat fizikë që lëshojnë fatura të fiskalizuara. Po ashtu, importuesit nuk arrijnë të fiskalizojnë në afat deklaratat doganore, ndërsa në certifikatën elektronike nuk mund të kryhen ndryshime të adresës, edhe në rastet kur ajo është deklaruar gabim.
“Jemi bërë si roje, që rrimë e gjurmojmë se kur sistemi punon, që të hyjmë e të bëjmë ndonjë veprim, ose hyjmë natën kur sistemi është më pak i ngarkuar”, shprehet një tjetër ekonomist.
Problemet me SelfCare ndikuan edhe në dorëzimin e deklaratave që kishin afat më 31 janar, duke detyruar administratën tatimore të shtyjë afatin deri më 20 shkurt. Kjo përkon me një periudhë tepër të ngarkuar për kontabilistët, të cilët njëkohësisht duhet të mbyllin bilancet vjetore, ndërkohë që SelfCare mbetet baza kryesore për proceset e rakordimit.
“Mosfunksioni i SelfCare po na pengon dhe për të deklaruar TVSH-më e muajit janar”, shton një ekonomist tjetër.
Sipas Aleancës së Profesionistëve të Lirë, bllokimet e vazhdueshme sjellin pasoja të drejtpërdrejta për bizneset, duke përfshirë ndërprerje të punës dhe vonesa në faturim dhe arkëtime, rritje të riskut për gabime dhe mospërputhje në dokumentacion, kosto shtesë operative për kohë, staf dhe suport teknik, humbje klientësh, si dhe ekspozim ndaj gjobave dhe penaliteteve për afate që nuk varen nga vetë bizneset. APL thekson gjithashtu se situata dëmton besimin te procesi i fiskalizimit dhe te formalizimi i tregut.








