Skip to content
Kryesore

Dyshohet se mori ryshfet, GJKKO jep vendimin për shefin e Rrugores së Tiranës

· 2 min lexim

Apeli i Gjykatës së Posaçme ka konfirmuar masën e arrestit me burg për Roven Zekën, kreun e Policisë Rrugore në Tiranë.

Ndërsa për shefin e hetimit të aksidenteve, Sokol Novakun, gjyqtari Engert Pëllumbi vendosi të lehtësojë masën, duke i caktuar arrest shtëpie, për shkak të situatës së tij familjare.

Zeka u vu në pranga më 19 prill me urdhër të SPAK, së bashku me Novakun dhe Oficerin e Policisë Gjyqësore, Edison Tabakun.

Ata akuzohen për korrupsion në lidhje me fshehjen e pasojave të një aksidenti të ndodhur më 16 prill, ku përplasja mes dy automjeteve shkaktoi plagosjen e pesë personave që përfunduan në spital.

Sipas hetimeve, zyrtarët e Policisë Rrugore kanë marrë ryshfet prej 2,000 eurosh nga biznesmeni E.V., në këmbim të mbylljes së çështjes dhe mosndëshkimit të bashkëshortes së tij, e cila dyshohet si përgjegjëse për aksidentin. Ende nuk ka informacione zyrtare mbi gjendjen e pesë të plagosurve.

Gjatë seancës në Gjykatën e Posaçme më 22 prill, Zeka theksoi se është një oficer me karrierë në Policinë e Shtetit, ndërsa kërkesa për lehtësim të masës për Novakun u refuzua.

Të dy shefat e Policisë Rrugore mohuan përfshirjen në veprimet e Oficerit Tabaku dhe theksuan se kanë ndjekur procedurat standarde duke dërguar materialet në prokurori për drejtuese të aksidentit.