Një tragjedi e paralajmëruar prej ditësh u shndërrua në krim institucional në mes të Durrësit. Bardhyl Kaloshi, 43 vjeç, baba i tre fëmijëve, humbi jetën pasi ra në kontakt me një shtyllë elektrike të dëmtuar në rrugën “Mujo Ulqinaku”, pranë stadiumit. Ai u përfshi nga rryma elektrike në një rrugë të përmbytur nga reshjet, teksa kabujt e zhveshur të shtyllës shndërruan kalimin e përditshëm në kurth vdekjeje.
Ngjarja ishte pasojë direkte e neglizhencës së institucioneve. Banorët dhe bizneset e zonës kanë pranuar se kishin njoftuar autoritetet për rrezikun, duke theksuar se shtylla kishte kohë që shpërndante rrymë pas shirave të fundit. As OSHEE, as Bashkia e Durrësit dhe as kryetarja Emirjana Sako nuk ndërhynë për të shmangur tragjedinë, edhe pse ishin në dijeni të rrezikut.
Pamjet e ngjarjes tregojnë momentin kur Kaloshi bie përtokë pasi prek shtyllën. Kalimtarët tentuan t’i afroheshin, por u tërhoqën nga frika, pasi edhe toka përreth ishte e elektrizuar. Ai humbi jetën në vend, pa marrë dot asnjë ndihmë.
Ironikisht, vetëm një ditë pas vdekjes së tij, një punonjës i bashkisë u shfaq në zonë për të “rregulluar” problemin. Ky veprim, i vonuar dhe i pavlerë për jetën e humbur, sjell “refrenin” e përhershëm: duhet të ndodhë një tragjedi që institucionet të bëjnë detyrën e tyre minimale.
Kjo ngjarje e rëndë nxjerr në pah papërgjegjshmërinë kriminale të autoriteteve vendore dhe energjetike, të cilat nuk mbajnë asnjë llogari për pasojat e neglizhencës së tyre. Bardhyl Kaloshi ishte baba i tre fëmijëve, të cilët sot janë jetimë për shkak të mosveprimit të atyre që paguhen për të garantuar sigurinë e qytetarëve.
Një dështim i plotë i shtetit dhe i pushtetit vendor për të mbrojtur jetën e njerëzve!