Hetimet e nisura nga SPAK ndaj zv/kryeministres së pezulluar Belinda Balluku kanë hyrë në një fazë të re, me marrjen në pyetje të një sërë biznesmenësh që kanë përfituar fonde publike përmes tenderave të fituar në disa lote të ndërtimit të Unazës së Madhe.
Faza e thirrjes nisi menjëherë pas kontrolleve të ushtruara në ambientet e kompanive të tyre, ku u sekuestruan aparate telefonike dhe pajisje të tjera kompjuterike. Një pjesë e këtyre pajisjeve është kqyrur dhe është dërguar për ekspertim në laboratorin e ekspertizës kibernetike pranë SPAK.
I pari që u thirr për të dëshmuar ishte biznesmeni Ram Geci, i cili u paraqit javën e kaluar në SPAK dhe u mor në pyetje nga një oficer i Byrosë Kombëtare të Hetimit.
Në vijim, sipas gazetarit Elton Qyno, pritet të marrin fletë-thirrje edhe biznesmenë të tjerë që, sipas hetimeve, kanë zhvilluar bisedime ose takime me ministren e Transportit dhe Energjitikës, Belinda Balluku.
Lista e personave që pritet të pyeten përfshin emra të njohur nga biznesi dhe administrata, si Sindi Dushku, drejtoresha e Kabinetit të Ballukut, Sadik Ismailaj i “Alb-Star”, Pëllumb Salillari, Ilir Shtufi, si edhe biznesmenët Gëzim Dani, Paqsor Buzi, Ylli Senka, Kujtim Arifaj dhe të tjerë.
Sipas hetimeve të kryera nga SPAK, këta persona kanë përfituar tendera në Ministrinë e Transporteve gjatë kohës që ajo drejtohej nga Belinda Balluku. Prokuroria e posaçme dyshon se disa prej biznesmenëve kanë zhvilluar takime me ministren për ndarjen e loteve që do të fitonin për punimet në Unazën e Madhe.
Deri më tani, asnjë prej biznesmenëve nuk është marrë zyrtarisht nën hetim. Ndërkohë, Belinda Balluku akuzohet nga SPAK për paracaktim të fituesve në tenderin e ndërtimit të Tunelit të Llogarasë dhe për shkelje në shtatë procedura të lidhura me dosjen e Unazës së Madhe.
Më 31 tetor, SPAK e mori zyrtarisht të pandehur Belinda Ballukun. Disa ditë më pas, u caktua masa e ndalimit të daljes jashtë shtetit, pezullimi nga detyra dhe nga funksioni publik i ministres së Transporteve dhe zv/kryeministres.
Pas përplasjes institucionale me qeverinë në Gjykatën Kushtetuese, SPAK kërkoi nga Kuvendi autorizimin për arrestimin e Belinda Ballukut. Kjo kërkesë ende nuk është shqyrtuar, pasi Komisioni i Mandateve e ka shtyrë disa herë mbledhjen për trajtimin e saj.








