Seanca gjyqësore për dosjen e njohur si “5D” u zhvillua me tensione dhe debate mes avokatëve mbrojtës.
Avokatët e të pandehurve Redi Molla dhe Denion Bogdani paraqitën kërkesë për gjykim të shkurtuar dhe kërkuan që shqyrtimi të mos vazhdojë deri në marrjen e një vendimi për këtë kërkesë.
Në të njëjtën linjë, avokatët e Ermir Beta dhe Ardian Leka kërkuan shtyrjen e seancës, duke u bazuar në të njëjtën arsye.
Ndryshe nga kolegët e saj, avokatja Evi Sheri, që përfaqëson Taulant Tushën, ishte kundër shtyrjes së seancës dhe insistoi për vijimin e procesit gjyqësor. Ky qëndrim shkaktoi një debat të ashpër në sallën e gjyqit mes palëve.
Prokurori Klodian Braho theksoi se kërkesa për gjykim të shkurtuar nuk është arsye e mjaftueshme për shtyrjen e seancës.
Në fund, gjykata vendosi të tërhiqet për të marrë një vendim të ndërmjetëm lidhur me këtë çështje.
Më 2 korrik 2024, SPAK i komunikoi akuzat “korrupsion pasiv” dhe “mosdeklarim pasurie” Redi Mollës dhe Mariglen Qatos, ndërsa Taulant Tushës iu komunikua akuza për “shkelje të barazisë në tendera”.
Të tre ish-drejtorët u arrestuan në mars të vitit të kaluar në kuadër të hetimeve për dosjen “5D”. Ata mbeten nën masën “arrest në burg”, ndërsa pesë persona të tjerë, përfshirë Enton Punavijën dhe Julian Zanajn, janë nën masën “detyrim paraqitje”.
Sipas SPAK, Qato dhe Molla janë pronarë të kompanisë “5D”, e cila gjatë viteve 2016-2022 ka fituar 11 tendera pranë bashkisë. Kompania njihet gjithashtu me emrat “Igor Electric” dhe “Vas Construction”.
Hetimet përfshijnë dyshime për manipulime dhe abuzime në procedurat e prokurimeve publike.